Vodhi para e stoli nga shtëpia e vëllait, kosovari dënohet me 1 mijë e 800 euro gjobë

  • g./g /
  • 31 August 2022 - 14:57
Vodhi para e stoli nga shtëpia e vëllait, kosovari dënohet me 1 mijë e 800 euro gjobë

I akuzuari B.S, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 mijë e 800 euro gjobë, për akuzën se në gusht dhe shtator të vitit 2013, në shtëpinë e vëllait të tij, vodhi 2 mijë e 600 euro para të gatshme, stoli ari e argjendi si dhe orendi të shtëpisë në vlerë prej 4 mijë e 300 euro.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Drane Simani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ndaj të akuzuarit B.S, u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, si dhe 600 euro gjobë.

Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 200 euro.

Dënimin e shqiptuar më gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në rast se i akuzuari nuk mund të paguajë dënimi me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgimi shuma prej 20 euro.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 50 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura në afat prej 15 ditësh kanë të drejtë ankese.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit më 2 gusht 2013, në intervalin kohor nga ora 18:45-00:00 h, në fshatin Vërban, Komuna e Vitisë, i pandehuri me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka kryer vjedhje te rëndë në dëm të dëmtuarit-vëllait të tij F.S., në atë mënyrë që me përdorimin e forcës e hapë dritaren e bodrumit të shtëpisë, depërton në brendi, dhe nga aty ka vjedhur 2 mijë e 600 euro para të gatshme, si dhe stoli ari dhe atë një unazë, një zinxhir dore, dy zinxhir qafe, një lirë si dhe disa bizhuteri, në vlerë prej 4 mijë euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë rreth 6 mijë e 600 euro.

Me këto veprime, B.S, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, sipas aktakuzës së dytë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, në muajin shtator 2013, në kohë të pacaktuar, në fshatin Verban, Komuna e Vitisë, akuzuari B.S, me qëllim që vetes apo dikujt tjetër t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka vjedhur në dëm të të dëmtuarës -kunatës M.S. nga fshati Verban, Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që duke e përdorur forcën, dëmton roletën e dritares, meqë rast hapë dritaren e katit përdhese (bodrumit), depërton brenda në shtëpi dhe nga aty vjedhë: perde të dritareve në vlerë prej 230 euro, tre jorganë, dy bombola të plinit dhe tre tepsia, ashtu që me sendet e vjedhura largohet nga shtëpia dhe ikë në drejtim të panjohur, në këtë mënyrë te dëmtuarës i shkakton dëm material në vlerë rreth 300 euro.

Me këto veprime, B.S, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)