Krimi ndaj 11-vjeçares, protestuesit shpallin shtetin fajtor

  • E.K /
  • 31 August 2022 - 18:10
Krimi ndaj 11-vjeçares, protestuesit shpallin shtetin fajtor

Më pas protestuesit vazhduan përgjatë rrugës “Luan Haradinaj”. Patjetër që do të ndaleshin para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë. Ky stacion është destinacion i pothuajse të gjitha protestave për vrasjet e dhunimet e grave, të cilat nuk u mbrojtën nga shteti, as kur policia ishte paralajmëruar e lajmëruar.

Prej të parëve që arritën para derës së Policisë, ishte edhe një vajzë e vogël me parullë në dorë, mbi supet e një gruaje. Përballë kishte policët, ndaj të cilëve ishin dedikuar parulla dhe bëheshin në kor akuza.

Ngjyrë të kuqe, organizatorët kishin edhe për Policinë.

Protestuesit vazhduan nëpër të njëjtën rrugë, drejt cakut, që ishte ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Përgjatë rrugës bëheshin thirrje, aq sa të dëgjoheshin nëpër zyrat e secilit institucion që gjendet përreth.

Për disa orë, kryeqyteti ishte përqëndruar në zemër të tij, ku po i kërkohej llogari shtetit e po jepej përkrahje për 11-vjeçaren e dhunuar. Ishin bllokuar rrugë, e ishte ndalur qarkullimi.

Turma s’kishte arritur akoma te ndërtesa e Kryeministrisë, ndërsa trupat e shtuar të Policisë po. Sapo protestuesit arritën te Kuvendi, që është pak metra larg Kryeministrisë, dhjetëra policë vrapuan për ta mbyllur hermetikisht derën e Kryeministrisë.

“Vendosuni siç vendosemi gjithë”, u dëgjua një zyrtar policor duke i koordinuar të tjerët, sapo u dëgjua turma e protestuesve.

Në shkallët te hyrja e Kryeministrisë u vendosën edhe prijësit e protestës, të cilët u flisnin turmës. Policët prapa tyre.

Edhe në dyert e Kryeministrisë u hodh ngjyrë e u lanë shenja të duarve. Te shkallët e Kryeministri, ku janë parë edhe më herët përplasje mes protestuesve e Policisë, pati pak edhe sot.

Prijësit e protestës u përplasen me policët për hapësirën ku donin t’i adresoheshin masës. Në një fjalim, që ndërpritej herë pas here me thirrje, u kërkua që shteti t’i ndërmarrë masat për mbrojtjen e grave dhe kapjen e dhunuesve.

Organizatorët nga lart u kërkuan protestuesve që të uleshin në oborrin e Kryeministrisë, se aty do të qëndronin “deri kur nuk mundën më”.

Kohë pas kohe, protestuesit pyesnin njëzëri se “Ku është Albini [Kryeministri Kurti]”. Nuk dihet nëse brenda objektit ishte Kryeministri. Nuk doli e nuk u pa askush nga Qeveria.

Policia akuzohej për mosmbrojtje të vajzave. Policët që ruanin derën e Qeverisë, pyeteshin “ku jeni kanë t’shtunën”, (kur vajza 11-vjecare ishte marrë afër një parku në Prishtinë dhe ishte dhunuar për 7 orë).

Përveç turmës bashkërisht, akuza ndaj policëve bënin edhe protestueset ndaras.

Kur kishin kaluar më shumë se dy orë prej nisjes së protestës, shumë prej protestuesve ishin larguar. Më nuk u panë as shumë prej figurave politike që morën pjesë në protestë, përfshirë kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, me kolegë të partisë. Në protestë ishte edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga, krah për krah me këngëtaren Dafina Zeqiri.

Pjesa e mbetur e protestuesve u vendos në oborrin e Kryeministrisë, të ulur, sipas kërkesës së organizatorëve, që thanë se do të qëndrojnë aq gjatë sa do të mundin. Raportohet se protestuesit janë akoma aty.

Nën dyshimet për dhunimin e 11-vjeçares, janë identifikuar dhe arrestuar 5 të dyshuarit. Emrat e tyre tashmë janë publikuar.

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti dha dorëheqje të hënën. Ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla, tha se si arsye kishte dhënë përgjegjësinë profesionale që e ndjen, pas rastit të 11-vjecares. 

(Kosova Sot Online)