SBASHK-u dorëzon kallëzim penal ndaj Muratit – “dikush ka me u turpëru”, thotë Jasharaj

  • G.G /
  • 01 September 2022 - 11:03
SBASHK-u dorëzon kallëzim penal ndaj Muratit – “dikush ka me u turpëru”, thotë Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ai vendosi që të mos ua ekzekutojë pagat punëtorëve që janë në grevë.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka përgatit dhe e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, tha Jasharaj në konferencë për media.

Jasharaj iu tha mësimdhënësve që të mos dorëzohen përballë Qeverisë, ndërsa tha se do t’i luten Zotit që Qeveria të dialogojë me ta.

“I kemi harxhuar të gjitha mundësitë për të dialoguar me Qeverinë. Kemi dërguar edhe një ndërmjetësues. Nuk e kemi mendjen me tradhtu zërin tuaj sepse po punojmë sipas zërit tuaj. Të urojmë dhe t’i lutemi Zotit bashkë që Qeveria Kurti të dialogojë. Pa të ofruar asnjë zgjidhje dhe vetëm kërcënime, e kanë të kot sepse ne jemi në rrugën e Zotit”, tha ai.

Jasharaj tha se greva përfundon kur “Qeveria t’i zgjidh kërkesat” e tyre.

“Greva ka me përfundu, por dikush në fund ka me u turpëru. E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati, i cili po përdor kërcënime të ulëta. Nëse dorëzohemi, këta nuk kanë me dit me u ndal me veprime të tjera”, tha Jasharaj.

(Kosova Sot Online)