Gjilanasi kërcënon me jetë dhe tenton ta sulmojë djalin e tij: Kom me t’pre me thikë

  • G.G /
  • 01 September 2022 - 14:30
Gjilanasi kërcënon me jetë dhe tenton ta sulmojë djalin e tij: Kom me t’pre me thikë

Dhuna në familje po vazhdon të jetë një fenomen mjaft shqetësues, që shumë herë ka përfunduar edhe tragjikisht. Rastet që ndodhin në Kosovë janë nga më të ndryshmet, ku përfshihen bashkëshortët, fëmijët e anëtarët e tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Xhemajl Hyseni’ në Gjilan, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë djalin e tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë së familjes, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari ka kërcënuar të birin se do ta presë me thikë, teksa i është vërsulur ta sulmojë me pirun apo thikë kuzhine.

22-vjeçari duke parë rrezikun që i kanoset, i frikësuar ka ikur nga shtëpia dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, ku kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është recidivist i dhunës në familje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

(Kosova Sot Online)