MASHT-i e lidh grevën e sotme me presion politik: Shumica e shkollave nuk mbajtën mësim

  • E.K /
  • 01 September 2022 - 19:40
MASHT-i e lidh grevën e sotme me presion politik: Shumica e shkollave nuk mbajtën mësim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka konfirmuar se në shumicën e shkollave në Kosovë, sot nuk është mbajtur procesi mësimor, pas grevës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në një komunikatë për media, MASHT-i e lidhi grevën e sotme me politikë, duke pretenduar në shkolla ka pasur “presione të shumta”.

“Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë ju bënë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë së drejtuar nga Nagavci.

Në fund, MASHT-i ka deklaruar se “humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim.

greva / Sindikatat dhe Qeveria të vendosura, njëra mban grevë e tjetra i ndal pagat

1 shtatori

Sot është 1 shtatori, por ndryshe prej viteve të tjera, nxënësit nuk iu kthyen bankave të mësimit, me përjashtim në pak shkolla të vendit.

Kjo për shkak të thirrje së grevës nga SBASHK-u, të cilën e kishin paralajmëruar javë më parë, duke kërkuar 100 euro deri në miratimin e ligjit për paga.

Përplasja mes SBASHK-ut dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili vlen të theksohet se kërkoi lista të grevistëve për të mos ua ekzekutuar pagën, u thellua shumë ditëve të fundit.

Dyshimeve të ngritura nga Murati për keqpërdorim të fondeve nga SBASHK-u, i është kundërpërgjigjur sindikata. Ata kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj ministrit të Kurtit.

“SBASHK-u e ka dorëzu në organin gjegjësisht në prokurori kallëzimin penal ndaj z.Hekuran Murati . Kur te thirrin le ti qet letrat, thuajse janë parat e tij. Nuk e ka pru atë buxhet prej shtëpisë së vet. Ne nuk po i themi Hekuran ana rrogën tënde”, ka thënë Jasharaj gjatë një konference për media.

Ndërkaq, Ministri Murati, njoftoi dje se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare pagesat. Sipas tij, mos-pagesa e pagave është bërë për shkak të vonesave në dorëzimin e listave të personave që janë në grevë.

“Kemi bërë kërkesë nga organizatat të përditësojmë listat e pagave, por meqë nuk ka arritur të bëhet me kohë, ka qenë e pamundu të procesohet me pagat e tyre. Janë procesuar vetëm ato organizata që kanë kompletuar listat e pagave,” - deklaroi ministri i Financave.

Grevë mbajnë edhe tri komunat ku udhëheqë LVV-ja

Drejtorët e arsimit kanë bërë të ditur se shkollat në Gjilan, Podujevë e Shtime janë në grevë dhe se një gjë të tillë nuk mund t’ia mohojnë grevistëve.

Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në komunën e Shtimës, thotë se nuk mund t’ia imponojnë mësimin mësimdhënësve, sepse iu takon me ligj greva të cilën po e bëjnë.

"Në mëngjes kam bisedu me drejotrët e shkollave, shkollat janë në greva. Mësimdhënësit iu kanë përgjigjur vendit të punës, por mësim nuk janë tu majtë. Përgatitjet i kemi bë të gjitha, kushtet i kemi kriju për vitin e ri mësimor. Por na nuk mundem me ua imponu mësimin sepse iu takon me ligj" tha për gazetën Lulzim Sahiti drejtor i Arsimit në Shtime.

Ngjashëm situata është edhe në Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, i Vetëvendosjes.

Greva 25 gusht / VV humbet garën me grevistët edhe në komunat që udhëheq: Grevë në Llap, Gjilan e Shtime

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, thotë se vetëm çerdhja po punon.

"Përveç çerdhes të gjitha shkollat prej orës 9 kanë hy në grevë. Ka disa mësimdhënës që kanë ardhë me majtë mësim, por kur e kanë pa që s'ka nxënësa iu kanë bashkangjitur grevës. Në përjashtim që veç çerdhja po punon", potencoi Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Podujevë.

Në komunën e Gjilanit nga Drejtoria e Arsimit, thonë se nxënësat nuk janë lajmëruar hiç në shkollë edhe nësë ka pas gatishmëri të mësimdhënësve.

"Në grevë edhe ne. Momentalisht nxënësat nuk janë lajmëru hiç në shkollë edhe nëse ka pas gatishmëri të mësimdhënësve. Jemi tu e plotësu raportin që jemi në greve”, thonë nga kjo komunë.

(Kosova Sot Online)