Ish-Avokati i Shtetit: Murati nuk ka të drejtë të nxjerrë lista ndëshkuese

  • E.K /
  • 01 September 2022 - 21:06
Ish-Avokati i Shtetit: Murati nuk ka të drejtë të nxjerrë lista ndëshkuese

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, nuk ka të drejtë të kërkojë listat e grevistëve.

Kështu tha ish-avokati i Shtetit Sami Istrefi.

Istrefi tha se veprimi i Muratit për të kërkuar listat e grevistëve është i kundërligjshëm.

“Ministri dhe asnjë ministër tjetër nuk ka të drejtë të nxjerrë lista, të thërret lista dhe të harton lista sa i përket grevës në nivel vendi, sepse kjo është totalisht e kundërligjshme. Neni 24 i Ligjit për Greva thotë se ekziston evidenca e atyre që marrin pjesë në grevë” – tha Istrefi.

Ditë më parë në një konferencë për media ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pati thënë se ata të cilët kanë qenë dhe janë në grevë do të pezullohen nga paga.

“Sa i përket ekzekutimit të pagave sot është bërë pjesërisht për shkak se llogaritja e listës së pagave merr kohë dhe zakonisht ky proces fillon në mes të muajit. Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen”.

“Nuk është kërkuar listë e grevistëve, sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Ai ka thënë se lista e anëtarësisë së SBAShK-ut është në Thesar.

“Nëse nisemi nga deklaratat e SBAShK-ut, ku thuhet se të gjithë të anëtarësuarit janë në grevë, atëherë do të duheshin që të gjitha ata të pezulloheshin nga pagat. Një pjesë e tyre kanë dalë në vendin e punës, një pjesë e tyre janë në pushim kolektiv dhe jo në grevë, ka pasur shumë që hapur janë deklaruar kundër grevës”.

Murati ka shtuar se SBAShK-u nuk e ka mbështetjen e prindërve dhe mësimdhënësve sa i përket grevës, derisa ka shtuar se shpreson që mësimdhënësit nesër të jenë në vendin e punës.

“Ne po shohim se nuk e kanë mbështetjen as të prindërve dhe as të mësimdhënësve, sepse ata e dinë se greva fillimisht i dëmton nxënësit dhe dëmton financiarisht edhe vetë mësimdhënësit. Jam i bindur se nesër të gjithë mësimdhënësit do të jenë në vendin e tyre të punës e jo ashtu siç është deklaruar nga SBAShK-u”.

(Kosova Sot Online)