Borxhliu italian vrau e djegu një kosovar, detajet e ngjarjes makabre

  • G.G /
  • 02 September 2022 - 14:18
Borxhliu italian vrau e djegu një kosovar, detajet e ngjarjes makabre

Pas disa orëve investigim nga prokuroria italiane, është arritur të zbardhet identiteti i viktimës kosovare në Cologne, në periferi të Brescias. Bëhet fjalë për Nexhat Ramën, 40-vjeçar.

Siç mësohet nga hetimet e para, ai u gjet i vdekur në bagazhin e veturës të vëllait të tij. Pra, në një Range Over. Trupi i pa jetë ishte tërësisht i djegur. Në lidhje me këtë rast, i cili është kategorizuar si vdekje e rëndë, tashmë është arrestuar një person.

Cristiano Mossali, 53-vjeçar, nga Palazzolo sull'Oglio, me profesion autemekanik, dyshohet të ketë qenë njeriu që ka privuar nga jeta shtetasin kosovar, Nexhat Rama. Shtetasi kosovar ishte i pamartuar, pa fëmijë dhe i ngarkuar me disa precendente penale, ku llogaritë me drejtësinë italiane i kishte të hapura.

Deri te ngjarja makabre sipas pistës së hetimit nga prokuroria italiane ka ardhë si pasojë e një borxhi prej rreth 50 mijë euro. Nexhati ia kishte huazuar së pari 30 mijë euro Mossalit dhe pastaj edhe shuma tjera parash. I përballur në një situatë ku nuk ia dilte që t'ia kthente paratë, shtetasi italian vendosi që ta vrasë Nexhat Ramën.

Në bazë të shkrimeve në mediet italiane - që thirren në burime brenda hetuesisë - nuk mohohet që Cristiano Mossali të jetë nxitur ta bëjë këtë krim pasi është vënë në kërcënim apo presion nga Rama për t'ia kthyer paratë. Madje, Mossali e kishte ftuar në garazhën e tij për të biseduar me të dhe nga aty gjithçka ka filluar tensionimi i situatës.

Nga prokuroria janë të bindur se ai konfrontimi i acaruar verbal ka qenë hapi i parafundit para skenës tronditëse që ndodhi, ku në makinën e vëllait të ndjerit (të cilën prej kohësh e shfrytëzonte i ndjeri), në një fshat në qarkun e Brescias, u vra mizorisht Rama.

Pasi është përgjuar dhe kontrolluar telefoni i viktimës, si dhe çdo kontakt i tij i mëhershëm para vdekjes - organet e rendit dhe sigurisë italiane kanë arritur në përfundim se Cristiano Mossali është i dyshuari kryesor për ngjarjen e ndodhur. Me ç'rast, ai është arrestuar mbrëmë nga një numër i madh i policëve të Carabinieri. Personi në fjalë gjatë ditës së sotme pritet që të dalë para trupit gjykues.

(Kosova Sot Online)