Qeveria i penalizoi në gusht mësimdhënësit me paga, për t’i disiplinuar për shtator

  • G.G /
  • 02 September 2022 - 14:59
Qeveria i penalizoi në gusht mësimdhënësit me paga, për t’i disiplinuar për shtator

Kryeministri Kurti thotë se është e palogjikshme të merren pagat, prandaj s’do të paguhen ata që hyjnë në grevë. Lumir Abdixhiku i LDK-së ngrit shqetësim për penalizmin që po u bëhet mësimdhënësve, duke u ndalur pagat e muajit gusht, kur as nuk kishte mësim në shkolla, as s’kishte grevë.

Greva e përgjithshme, e organizuar nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka nisur me 25 gusht. Por, Ministria e Financave, nuk i ka ekzekutuar pagat për krejt muajin.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për penalizimin e mësimdhënësve gjatë muajit gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor.

Ai ka thënë se mësimdhënësve po u bëhet “dënim kolektiv”.

Qeveria nuk ka ekzekutuar pagat e gushtit në disa sektore, pasi ka kërkuar listat e punonjësve publikë që po mbajnë grevë, por ato nuk i janë dhënë.

Stafi shëndetësor kanë protestuar sot para qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, pasi nuk i kanë marrë pagat e muajit që shkoi.

Derisa Qeveria është kritikuar se po shkel të drejtat e punëtorëve duke i kërcënuar grevistet me ndjale të rrogës, Kryeministri Albin Kurti ka thënë dje nga Gjakova se nuk mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë,

“Nuk ka kurrfarë urrejtje apo hakmarrje ndaj askujt. Por, një gjë duhet ta kuptoni – s’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”, ka thënë Kurti.

*Fotografia e përdorur në këtë artikull është ilustruese nga një adresim i mëhershëm i SBASHK-ut

(Kosova Sot Online)