Dokumenti që i dha “krahë” Ministrisë së Financave për ndalimin e pagave

  • E.K /
  • 02 September 2022 - 18:23
Dokumenti që i dha “krahë” Ministrisë së Financave për ndalimin e pagave

Dy ditë para shpalljes së vendimit për mos ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve, për shkak të grevës, Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave i dha një konfirmim ministrit Hekuran Murati për të proceduar me vendimin.

Në një opinion ligjor të nxjerrë më 29 gusht, Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave doli në përfundim se zbritja e pagës së grevistëve “përbën kufizim të lejuar me ligj”.

“Sipas legjislacionit relevant në mënyrë që greva të konsiderohet e ligjshme duhet respektuar të gjitha kushtet procedurale dhe materiale. Prandaj, në rast të mos respektimit të kushteve procedurale apo materiale për të drejtën e grevës, e njëjta do të konsiderohet e jashtëligjshme”, thuhet në interpretimin e Zyrës Ligjore të MF-së.

“Ndërsa edhe në raport me zbritjen e pagës gjatë grevës, për aq sa korrespondon me periudhën e grevës, kjo përbën kufizim të lejuar me ligj dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe përbën rregullim të ngjashëm me vendet e tjera të Bashkimit Evropian”, konstaton Zyra Ligjore.

Këtë interpretim, Zyra Ligjore ia ka dërguar Thesarit të Shtetit. Bazuar në këtë vendim, pagat për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar të plota më 31 gusht.

Më 31 gusht, Murati bëri të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët.

Për shkak të grevës, në Kosovë më 1 shtator nuk ka nisur viti i ri shkollor 2022/2023, pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për një gjë të tillë.

Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga 25 gushti.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

(Kosova Sot Online)