Kurti premton 50 euro për sektorin publik, 100 euro për studentët dhe pensionistët

  • G.G /
  • 03 September 2022 - 11:49
Kurti premton 50 euro për sektorin publik, 100 euro për studentët dhe pensionistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë publike një pako ndihmese për të përballuar inflacionin.

Ky veprim i Qeverisë së Kosovës vjen kur janë organizuar greva gjithandej në vend.

Kurti ka bërë me dije që do qeveria do të subvencionojë ata që kursejnë energjinë elektrike. Nëse një qytetar kursen krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, qeveria do të subvencionojë dyfish të shumës që është kursyer.

“Si qeveri mbetemi të përkushtuar për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Prandaj sot po prezantojmë një pako të re, që ka për qëllim përkrahjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare.

Do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Ata që kursejnë në krahasim me vitin e kaluar periudhën e njëjtë, do të subvencionojmë dyfish atë që është kursyer”, ka thënë kryeministri.

Ai ka thënë se do të ndihmohen edhe pensionistët, ata me asistencë sociale, zyrtarët publik, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe për sektorin privat.

“Për pensionistët do të ndajmë shumë e njëhershme prej 100 euro.

Familjet me asistencë sociale do ti mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Për zyrtarët publik do të ndajmë shtesën prej 50 euorve duke filluar nga shtatori.

Kurse nga punëtorët në ndërmarrje publike do të ndajmë shumën e njëhershme në vlerë prej 100 euro.

Gjendja e rënduar është edhe në sektorin privat. 80 % janë të punësuar në sektorin privat.

Do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve. Subvencionojmë 50 % të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove në nëntor edhe për studentët”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu ka prezantuar edhe një ndihmesë për bizneset të cilat janë prekur nga inflacioni dhe rritja e çmimit të materialeve ndërtimore.

(Kosova Sot Online)