Babai në Zveçan rrah brutalisht vajzën e tij të mitur, i shkakton lëndime duke e goditur me ‘pendrek’

  • G.G /
  • 03 September 2022 - 17:52
Babai në Zveçan rrah brutalisht vajzën e tij të mitur, i shkakton lëndime duke e goditur me ‘pendrek’

Rastet e dhunës në familje sa vijnë e rriten përditë në vendin tonë. Vazhdimisht në Polici gra e vajza raportojnë dhunën e përjetuar nga bashkëshortët e anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në Zveçan, ku një burrë dyshohet se ka rrahur brutalisht vajzën e tij të mitur, duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas mesnate, ku dyshohet se babai ka rrahur me shufër gome (pendrek) vajzën e tij 17-vjeçare, e cila për shkak të lëndimeve trupore ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici, ku në praninë e nënës së saj ka rrëfyer gjithë dhunën që përjetoi nga babai i saj. Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar të dyshuarin.

38-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

(Kosova Sot Online)