Scholz dhe Macron i ngarkojnë këshilltarët për të ndihmuar në dialogun Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 04 September 2022 - 16:20
Scholz dhe Macron i ngarkojnë këshilltarët për të ndihmuar në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Në letër thuhet se Gjermania dhe Franca i kanë ngarkuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Emanuel Bonnin dhe Jens Plettnerin, për t’i ofruar ndihmë direkte emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër, raporton B92.

“Ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën patronazhin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik. Prandaj, ne i ngarkuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Plettner dhe Emanuel Bonn, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë e çuarjes përpara të procesit. Shpresojmë sinqerisht që kjo nismë të ndeshet me interesin dhe mbështetjen tuaj”, përfundon letra e Macron dhe Scholz.

(Kosova Sot Online)