Vizita e Bërnabiqit në Veri, Policia e ka një njoftim

  • G.G /
  • 05 September 2022 - 09:53
Vizita e Bërnabiqit në Veri, Policia e ka një njoftim

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të vizitës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në veri të Kosovës, do të bllokojë disa rrugë për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Në njoftim thuhet se në segmentet nëpër të cilën do të kalojë eskorta e kryeministres serbe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitetet.

“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përderisa Bërnabiq e viziton veriun e Kosovës, zëvëndëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci do ta vizitojnë Luginën e Preshevës.

(Kosova Sot Online)