Në Serbi komentohet emërimi i dy këshilltarëve për dialog nga Scholz dhe Macron
Caktimin e dy këshilltarëve të rinj për t’iu bashkuar ekipit të ndërmjetësit Lajçak, deputeti serb Xhorxhe Milliçeviç e ka parë si mospëlqim të BE-së për përfshirjen amerikane në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Brukseli dëshiron të jetë në krye të dialogut, tha ai në televizionin serb Pink, dhe se “ata [Franca dhe Gjermania] nuk e duan ndikimin e Amerikës”.
“Pikërisht për shkak të kësaj ata po çojnë këshilltarë për ta zgjidhur çështjen me Kosovën”, ka thënë ai.
“BE devinitivisht nuk mund ta përballojë tërë kursin e negociatave si këto, Lajçaku definitivisht nuk mundet. Kjo nuk është ndihmë për Serbinë, nuk e shoh ashtu”, ka thënë ai.
Bashkëpartiakja e presidentit serb, Aleksandra Tomiç, tha se “Serbia është bërë arenë stërvitje për zgjidhje të çështjeve të fuqive të mëdha”.
Ajo tha se ‘Open Balkan’ është mbështetur nga fuqitë e mëdha, dhe se ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, kërkoi që edhe Kosova të jetë pjesë e nismës.
“Vetëm dy ditë pas kësaj, e kemi këtë iniciativën e Gjermanisë dhe Francës, të cilët po dërgojnë të ashtuquajturit kirurgë të diplomacisë”, tha Tomiç.
“Këto dhjetë vitet e fundit, kemi pasur këso kirurgësh të diplomacisë, por esenca e të gjitha vizitave të tyre ka qenë njohja e Kosovës si shtet i pavarur, që për Beogradin është e papranueshme”, tha ajo.
Në një letër të përbashkët dërguar kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, presidenti francez dhe kancelari gjerman njoftuan se kanë emëruar dy këshilltarë personalë të tyre për ta asistuar fascilituesin e dialogut, Miroslav Lajçakun.
“Ne i kemi ngarkuar këshilltarët tanë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Jens Plettner dhe Emmanuel Bonn, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij”.
“Ne sugjerojmë këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçakun, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë e çuarjes përpara të procesit të dialogut. Shpresojmë sinqerisht që kjo nismë të ndeshet me interesin dhe mbështetjen tuaj”, thuhej në letrën e Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron.
(Kosova Sot Online)