Vazhdon greva e SBASHK-ut, Qeveria refuzon të takohet me grevistët

  • G.G /
  • 06 September 2022 - 08:40
Vazhdon greva e SBASHK-ut, Qeveria refuzon të takohet me grevistët

Shkollat në Kosovë nuk do jenë të hapura as këtë të marte të 6 shtatorit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të vazhdojë, pavarësisht pakos së re të prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cila pritet të mbështesë të gjithë sektorin publik me nga 50 euro.

Derisa Kurti, që të hënën vizitojë një nga të paktat shkolla të hapura në Kosovë, tha se shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta.

Në anën tjetër, kreu i SBASHK-ut ka treguar se po kërkojnë të zhvillojnë dialog me Kurtin dhe ministrat e tij, por ka shtuar se Kurti dhe ministrat po i ikin dialogut, “sepse nuk kanë asnjë argument se kërkesat tona janë jolegjitime”.

“Kërkesa jonë e 100 eurove, ka dalë gjatë rrugëtimit, lufta kyçe është për ligjin e pagave, sepse ky ligj do të përcaktojë të ardhmen”, tha Jasharaj në T7.

Ndryshe nga Kurti, Jasharaj ka potencuar se nga të gjitha qeveritë e tjera dyert e dialogut kanë qenë të hapura.

“Po iu betohem këtu, nga ardhja e qeverisë Kurti 2, kemi dërguar 82 shkresa, por edhe ftesa ministrave për takim, asnjë takim nuk ka ndodhur. Mbi dhjetëra letra ka dërguar SBASHK-u, asnjë takim”, tregoi Jasharaj.

Të hënën, një përleshje ka ndodhur në tubimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në shkollën fillore “Ismail Qemali” ku njëri nga prindërit ka tentuar ta sulmojë Jasharajn derisa ishte duke lëshuar klasën.

“Oh armik, oh armik” i është drejtuar i moshuari Jasharajt.

Jasharaj bashkë me disa sindikalistë kanë qëndruar për disa orë në shkollën fillore “Ismail Qemaili”, teksa greva në shkollat e Kosovës është duke vazhduar.

Por kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, para kamerave ka deklaruar se ai kërkon që të ndalohet greva dhe të fillojë mësimi.

E për këtë kërkesë, ai ka potencuar se ka marrë mbështetjen e plotë të Osmanit.

“Kërkuam që mësimi të fillojë sa më parë, qysh të hënën. Duhet të gjendjet një zgjidhje tjetër nga pala për të mbrojtur të drejtat e tyre, sepse kjo dëmton kryekëput dhe vetëm prindërit dhe fëmijët”, ka thënë Demi më 3 shtator.

Pos mësimdhënësve, nga 25 gushti në grevë janë edhe, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

(Kosova Sot Online)