Komuna e Prishtinës formon Komitet për hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale

  • G.g /
  • 06 September 2022 - 11:37
Komuna e Prishtinës formon Komitet për hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit Konsultativ për Hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale.

Anëtarë të Komitetit Konsultativ sipas këtij vendimi janë: Mimoza Sylejmani nga Drejtoria e Planifikimit Strategjik; Arbër Sadiki nga Drejtoria e Urbanizmit; Masar Dushi nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës; Edona Durguti nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Nol Binakaj nga Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufinj (CHwB); Besnike Koçani nga UN Habitat Kosova; Luan Nushi nga Instituti për Planifikim Hapësinor; Lumnie Gashi – Shabani nga NGO Pro-Planing; Ardita Byci Jakupi nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Astrit Panaxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës,

Në vendim potencohet se detyrat e këtij Komiteti konsultativ janë, dhënia e mendimit profesional për çështjet që trajtohen në këtë grup.

Po ashtu, për kryerje të punëve Komiteti do t’i raportojë kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti, në vitin 2021, ishte hapur thirrje publike për skenarët që do përdoreshin për hartën zonale dhe planin zhvillimor për tetë vitet e ardhshme.

Atë kohë, opozita por edhe Asociacioni i Arkitektëve e kishin kundërshtuar pasi konsideronin se është plan i ngutshëm dhe se qeveria në fund të mandatit nuk mund t’ia lë një plan 8-vjeçar qeverisjes së re.

Plani Zhvillimor Komunal (PZhK) është një nga instrumentet e planifikimit, i cili i përcakton qëllimet afatgjata të zhvillimit ekonomik, shoqëror-social dhe hapësinor. Ky lloj sistemi i planifikimit bazohet në modele të planifikimit, të cilat tashmë janë aplikuar në vendet evropiane dhe më gjerë.

Hartimi i Planit Zhvillimor do përcillet edhe me diskutime publike e kalim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)