Macron e Scholz kërkuan vendime të vështira në dialog, Kurti komenton për herë të parë letrën e tyre

  • G.G /
  • 06 September 2022 - 13:36
Macron e Scholz kërkuan vendime të vështira në dialog, Kurti komenton për herë të parë letrën e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështesin interesimin e Gjermanisë dhe Francës për të ndihmuar në procesin e dialogut për marrëveshjen që ka në qendër njohjen reciproke.

“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhet Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të Republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, tha ai.

Kreu qeveritar foli edhe për respektimin e plot të ujdisë për dokumente mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë vlen reciprociteti, por liria e lëvizjes duhet të jetë liri e plotë e lëvizjes, duke nënkuptuar njohjen e dokumenteve të Kosovës edhe në kufijtë e Serbisë me vendet e tjera.

Këtë gjë, Kurti tha se zëvendëskryeministri Bislimi e ka adresuar edhe me ndërmjetësit e dialogut.

“Në pikat kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptonte liri të plot të lëvizjes, pasi liria e cunguar nuk është liri. Këtë gjë, zëvendëskryeministri është duke adresuar edhe me ndërmjetësit. Për në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, padyshim që ajo vlen. Veçse unë e kuptoj se nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”, shtoi ai.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri pas ceremonisë së shënimit të 23 vjetorit të Policisë së Kosovës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)