Kurti: Kosova është shembull i demokracisë në rajon

  • E.K /
  • 06 September 2022 - 17:45
Kurti: Kosova është shembull i demokracisë në rajon

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm dhe një shoqëri civile të fortë dhe se Republika e Kosovës është shembull rajonal në këtë drejtim.

Ai gjatë një takimi me drejtorin rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoreshën e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg, theksoi se NDI mund të ndihmojë edhe më tej në demokratizimin e partive politike dhe në mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile.

“Demokracia është e lidhur me respektimin e promovimin e të drejtave të njeriut dhe se të drejtat bazike të njeriut nuk duhet të fitohen, sepse ato na takojnë për vetë faktin që ekzistojmë”, tha Kurti.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave që duhet të vijnë nga institutet tona e që ndihmojnë vendimmarrjen dhe i ftoi përfaqësuesit e NDI për bashkëpunim në këtë drejtim.

Drejtori rajonal i NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin u shpreh i lumtur që janë të pranishëm në Kosovë dhe se duan ta rrisin më shumë praninë e tyre sikurse edhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera për promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë.

Ai tha se është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë, dhe theksoi rëndësinë që ka integriteti i informacionit dhe luftimi i dezinformimit në këtë rast.

Benjamin falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen e deritanishme dhe për pjesëmarrjen e tij në Javën e Gruas, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)