Pahor pasdite vjen në Kosovë me disa mesazhe të rëndësishme për dialogun me Serbinë

  • G.g /
  • 07 September 2022 - 08:00
Pahor pasdite vjen në Kosovë me disa mesazhe të rëndësishme për dialogun me Serbinë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor të mërkurën pasdite do ta vizitojë Kosovën.

Pahor në Prishtinë do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, po zhvillon një turne të vizitave nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Turneu i Pahor vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e 11-të të procesit Brdo-Brioni, më 12 shtator, që do të mbahet në Brdo pranë Kranjës.

Para pak ditësh, Pahor qëndroi në Beograd, nga ku, ndërsa foli për dialogun Kosovë-Serbi, kërkoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.

“Sa herë i kam vizituar miqtë e mi në Prishtinë, u kam thënë se duhet të formohet Asociacioni i komunave serbe nëse duam që një proces të jetë i besueshëm”, ka thënë pahor në kryeqytetin serb.

Pahor kishte thënë se gjatë vizitës në Kosovë do të dërgojë disa mesazhe të rëndësishme.

“Në Prishtinë, së pari, do të them se çështjet e mbetura aktuale, në shtator dhe tetor, duhet të zgjidhen me dialog, dhe së dyti, dialogu duhet të jetë më ‘i gjallë’, mendoj se ka shumë mosbesim”, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)