Tetë muaj burg për serbin që nxiti urrejtje në Gazimestan- Gjuriq nga Amerika akuzon Kurtin

  • G.G /
  • 07 September 2022 - 08:40
Tetë muaj burg për serbin që nxiti urrejtje në Gazimestan- Gjuriq nga Amerika akuzon Kurtin

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me tetë muaj burgim Nikola Nedeljkoviq, për shkak të nxitjes së urrejtjes ndër-etnike – Gjuriq gishtin e ka drejtuar edhe kah kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Këtë dënim, Gjuriq e ka cilësuar si “të motivuar etnikisht”, shton se “është persekutim ndaj serbëve”.

Madje kërkesën për lirimin e Nedeljkoviq e ka lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lirimi i Nikola Nedeljkovic dhe të burgosurve të tjerë politikë serbë në Kosovë dhe Metohi është i domosdoshëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter, të martën.

Sipas Gjuriqit, “nuk mund të ketë asnjë justifikim për një persekutim të motivuar etnik dhe shkelje të të drejtave të njeriut”, pretendon ai.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nikola Nedelkoviq, me arsyetimin se më 28 qershor 2022 në Prishtinë, në fshatin Bërnicë e Poshtme, derisa ishte duke u mbajtur manifestimi i Vidovdanit, i pandehuri me dashje në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte mbajtur flamuj me mbishkrime në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi” dhe më pas ka bërë fotografi dhe ka bërë thirrje nacionalisht në gjuhën serbe “Vrite vrite shqiptarin, e gjithë Rusia, Kosova është Serbi”. 

 

 

(Kosova Sot Online)