Largimi i Doarsa Kicës në LDK, deklarohet deputeti i GUXO Burim Meta

  • S.A /
  • 07 September 2022 - 12:53
Largimi i Doarsa Kicës në LDK, deklarohet deputeti i GUXO Burim Meta

Doarsa Kica – Xhelili pritet të kalojë në LDK. Lista Guxo sot e mban Kuvendin e parë të partisë. Burim Meta u deklarua  rreth largimit të bashkëpartiakes së tij.

Deputetja nga Lista Guxo, në radhët e Lëvizjës Vetëvendosje, Doarsa Kica – Xhelili pritet të kalojë në LDK dhe,  do të prezantohet pas një jave nga kryetari Lumir Abdixhiku.

Deputeti Burim Meta, një prej anëtarëve kryesorë të Listës Guxo, kur u pyet për largimin e Kicës tha, “jam duke u përgatitur për suksesin e orës 5 dhe nuk jam duke e vërejtur mungesën e dikujt”.

Lista Guxo mban sot në orën 17:00 Kuvendin e parë zgjedhor dhe konstituiv të organeve të partisë dhe statutit të partisë.

Kjo listë, që u themelua nga Presidentja Vjosa Osmani, iu la në duar më pasë ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila iu bashkua Osmanit, kur ajo doli nga LDK-ja.

Edhe deputetja Kica ishte prej të parëve që iu bashkuan ekipit të Vjosa Osmanit, pasi ajo, e pakënaqur me rrëzimin e Qeverisë Kurti I, u largua nga LDK-ja.

Burime të Gazetës Express thonë se sot një javë, në mbledhjen e Këshillit të Forumit të Gruas së LDK’së do të zyrtarizohet kalimi i zonjës Kica në partinë e Abdixhikut.

Kica dha dorëheqje në fillim të verës nga Lista Guxo, e pakënaqur plotësisht me punët në këtë subjekt në tentativë, kurse edhe raportet me Grupin e saj, atë të VV’së, nuk ishin më të mirat e mundshme. Kjo si duket i ka hapur mundësinë LDK’së që të flasë me të dhe të shikojë mundësitë për bashkëpunim.

Zakonisht, deputetët e Opozitës i bashkohen pushtetit, por me rastin e zonjës Kica do të jetë ndryshe. Nga pushteti ajo do ta kalojë në Opozitë, pra në LDK.

Siç dihet, Doarsa Kica ishte lavdëruar për punën e saj në Komisionin për Media dhe sidomos për procesin e zgjedhjes së Bordit të RTK’së.

Ndryshe, Arben Gashi, Shef i Grupit Parlamentar të LDK’së, kishte thënë se janë disa deputetë që pritet t’i bashkohen partisë së Abdixhikut. Mbetet të shihet se kush do të jenë deputetët tjerë që do t’i bashkohen kësaj partie.

Të enjten, në një intervistë për emisionin “Pressing”, Lideri i LDK’së kishte lënë të kuptohet se është i interesuar që ta sjell në parti zonjën Kica. 

(Kosova Sot Online )