Gjashtë të ndaluar në aksionin kundër drogës dhe trafikimit me armë

  • G.G /
  • 07 September 2022 - 14:26
Gjashtë të ndaluar në aksionin kundër drogës dhe trafikimit me armë

Policia e Kosovës bëri të ditur se gjashtë persona janë dërguar në mbajtje, pas një aksion të kryer në rajone të ndryshme të Kosovës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të armëve.

Aksioni, që nisi në orët e hershme të mëngjesit të 7 shtatorit, u zhvillua në Komunën e Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut.

“Si rezultat i veprimeve të marra është realizuar operacioni policor në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në rajonin e Pejës, i cili ka rezultuar me shoqërimin në stacion policor të 11 personave të dyshuar”, tha Policia, por me urdhër të prokurorit kompetentë, gjashtë prej tyre janë dërguar në mbajtje.

Gjatë bastisjeve, Policia tha se ka hasur në një plantacion të bimëve narkotike në një fushë të hapur.

Autoritetet kanë sekuestruar si prova materiale armë, municion, drogë të llojit kokainë, afër 100 bimë të kanabisit, para të gatshme, telefona dhe dokumente të tjera.

Ndryshe, gjatë këtij viti, autoritetet e rendit në Kosovë kanë ndërmarrë disa aksione kundër narkotikëve, teksa në prill dhe maj janë shkatërruar disa laboratorë të drogës në Zveçan dhe në Ferizaj.

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/372913951715536

(Kosova Sot Online)