Lituania i del në mbështetje Kosovës për anëtarësimin në BE, Këshillin e Evropës dhe NATO

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 17:16
Lituania i del në mbështetje Kosovës për anëtarësimin në BE, Këshillin e Evropës dhe NATO

Në kuadër të vizitës në Kosovë, një delegacion i deputetëve nga Lituania janë takuar sot pasdite me nënkryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.

Pas takimit u tha se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve do të avancohen përmes angazhimit të përbashkët duke thelluar komunikimin e duke zgjeruar fushat bashkëveprimit.

Kryesuesja e grupit parlamentar lituanez, Laima Andrikiene theksoi se Lituania mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë, në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO.

Andrikiene tha se qëndrojnë fuqishëm pro liberalizimit të vizave për Kosovën, siç tha ajo janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Ajo nga këtu ka dënuar edhe agresionin rus mbi Ukrainën dhe foli për sanksionet e Lituanisë ndaj Rusisë.

Nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Haliti tha se në këtë takim u dhanë mesazhe miqësie dhe ka inkurajuar kolegët lituanezë për mbështetjen e Kosovës në vazhdimësi.

“Ne kërkuam mbështetjen e Lituanisë, anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO janë prioritet i ynë”, tha ai.

Grupi për Miqësi Lituani- Ballkan Perëndimor të Parlamentit të Lituanisë gjatë ditës është takuar edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe me Grupin e Miqësisë Kosovë-Lituani të Kuvendit të Kosovës. 

(Kosova Sot Online)