Gërvalla për Osmanin: Nuk iu përkul intrigave të partisë në të cilën ndodhej

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 18:57
Gërvalla për Osmanin: Nuk iu përkul intrigave të partisë në të cilën ndodhej

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka shprehur një sërë fjali miradie për presidenten Vjosa Osmani, në mbledhjen e parë konstituive të partisë Guxo.

“Sot nuk do të ishim këtu për ta konstituuar partinë më të re në vend, pa presidenten e Republikës së Kosovës, doktor Vjosa Osmani-Sadriu. Vjosa Osmani guxoi, çfarë rrallë kush kishte guxuar para saj. Si deputete, si veprimtare politike, si kryetare Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani jo për herë të parë mbajti qëndrim të patundur, duke iu kundërvënë hapur dhe me vendosmëri, të gjitha vendimeve të dëmshme për Kosovën. Iu kundërvë asociacionit të komunave serbe për shkak se shkelte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesat bazike të këtij vendi. Edhe planeve të frikshme për ndarjen e Kosovës, pazareve politike dhe koalicioneve të pandershme. Të gjithave iu kundërvu, duke u shndërruar në një personalitet të rrallë në Republikën tonë të re”, tha Gërvalla.

Tutje Gërvalla thumboi partinë e LDK-së, intrigave të së cilës tha se Osmani asnjëherë nuk iu përkul.

“E shtyrë nga parimet dhe bindjet e saj, nuk u përkul asnjëherë, as para intrigave të partisë në të cilën ndodhej, por luftoi me vite të tëra për demokraci brenda partisë në të cilën ishte, e shoqëruar nga shumë prej nesh të cilët jemi të pranishëm në këtë sallë”.

“As nuk u bë, bashkë me deputetin Haxhi Avdyli, pjesë e puqit të orkestruar nga brenda dhe nga jashtë, kundër qeverisë legjitime dhe demokratike të shpresës. Pa këtë guxim, historia më e re e Kosovës do dukej më ndryshe, me siguri më e keqe sesa që duket sot”, u shpreh ministrja.

(Kosova Sot Online)