Raporti i brendshëm i SHKK-së: 20 veta u vërsulën për ta rrahur Ekrem Rexhepin

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 19:12
Raporti i brendshëm i SHKK-së: 20 veta u vërsulën për ta rrahur Ekrem Rexhepin

“Ai nuk është sulmuar prej askujt”, kjo ishte përgjigja e zëdhënësit të Shërbimit Korrektues të Kosovës në përpjekje për të demantuar deklarimin e avokatit të Ekrem Rexhepi për arsyet e transferimit të tij në një qendër tjetër paraburgimi.

Por, media ka zbuluar se vet dokumentet interne të Shërbimit Korrektues e demantojnë deklaratën e zëdhënësit të këtij institucioni. Është krijuar raport zyrtar për incidentin dhe janë dhënë detajet se çka ndodhi në ditën kritike. Vetë institucioni ka konfirmuar në dokumente zyrtare ndodhjen e një incidenti me të paraburgosurin Ekrem Rexhepi, edhe pse zëdhënësi e ka mohuar duke thënë vetëm një fjali: Ai nuk është sulmuar prej askujt.

Por, si ndodhi ngjarja?

20 të paraburgosur i janë vërsulur Ekrem Rexhepit për ta rrahur. Është dashur ndërhyrja e shpejtë e gardianëve për ta shpëtuar atë. Raporti informon se gardianët kanë evakuuar me shpejtësi Rexhepin nga shëtitorja për në qelinë e tij, duke e larguar kështu nga 20 të paraburgosurit tjerë.

Të paraburgosurit kanë deklaruar se nuk duan ta shohin duke shëtitur me ta, për shkak të veprës penale, që po dyshohet se e ka kryer, dhunim i të miturës.

“Të gjithë të paraburgosurit që gjendeshin në shëtitjen, gjithsej 20 të paraburgosur kanë tentuar të njëjtin ta sulmojnë fizikisht dhe falë ndërhyrjes së shpejt të stafit i njëjti është tërhequr nga shëtitorja dhe kthyer në dhomë”, thuhet në raport.

“Arsyetimet e të paraburgosurve ishin se personin (Ekrem Rexhepin) nuk e dëshirojnë në shëtitje duke përmendur veprën që akuzohet, poashtu sipas informatave konfidente që posedojmë, se i paraburgosuri, Ekrem Rexhepi është i pa dëshiruar nga të gjithë të paraburgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në raportin e SHKK-së të cilin e ka siguruara media.

“Bazuar në të cekurat më lartë, kërkojë që i paraburgosuri të transferohet në ndonjë qendër tjetër për shkaqe sigurie dhe të vet të paraburgosurit në fjalë”, theksohet në fund të kërkesës.

Kërkesë për ndryshimin e qendrës së paraburgimit nga Prishtina i është dërguar Haki Maxharrajt, drejtorit të qendrës së paraburgimit në Prishtinë, Sami Halitit, zëvendësdrejtorit dhe Ferat Bytyqit, udhëheqës nga ana e Skënder Sopjanit, mbikëqyrës i Lartë për Siguri.

Ndërkohë, Ekrem Rexhepi nga Prishtina është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës. Kështu ka konfirmuar për Insajderin, avokati i tij, Fitim Limani.

Ai tha se mbrëmë u njoftua për këtë transferim, konfirmoi se është sulmuar nga të burgosurit.

“Gjendja e tij s’është e mirë, mbrëmë kam marrë informatë prej gjykatës që ai ndodhet në burgun e Sigurisë së Lartë, është transferuar nga Prishtina pasi ka qenë i sulmuar nga të burgosurit e tjerë. Transferimi ka ndodh meqenëse i është rrezikuar edhe jeta, për shkak të sulmeve që ka pasur nga të burgosurit e tjerë, ia kanë ndërru pra qendrën e paraburgimit”, tha avokati.

Avokati bëri me dije që klienti i tij ka refuzuar të flasë për ti treguar se si ka ndodhur rasti.

“Rasti është i ndejshëm dhe i mbrojturi im pasi jam konsultuar me të nuk ka pranuar të flas, ai ska dhënë ndonjë deklaratë ka refuzu me fol dhe nuk e di versionin e tij qysh ka ndodhur rasti. Nuk e kam takuar në qendrën e paraburgimit mirëpo kam qenë në seancën dëgjimore”, tha ai.

Limani shtoi për Insajderi se te dyshuarit për dhunimi i janë bërë analizat gjinekologjike për të kuptuar nëse ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarën 11 vjeçare.

“Atij i janë bërë analizat gjinekologjike si provë kryesore për të parë nëse ka pasur marrëdhënie seksuale me një person apo jo. Jemi në pritje derisa prokuroria të fillojë hetimet”, sqaroi ai derisa theksojë se nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi tjetër nga Prokuroria deri në këtë pikë të rastit.

Pesë të dyshuarve për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Tmerri i dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares, nuk ka nisur në natën e 27 gushtit, kur për shtatë orë dyshohet se ishte dhunuar nga pesë persona, dy prej të cilëve të moshës madhore. Ajo dyshohet se është keqpërdorur seksualisht e kishte qenë viktimë e trafikimit edhe në muajin qershor.

Pas dështimit të shtetit për ta mbrojtur viktimën, dy dorëheqje janë dhënë tani. Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe Ali Gashi, Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

(Kosova Sot Online)