Peci: Me Kurtin kryeministër e Osmanin presidente, u kthye dinjiteti i Kosovës në sytë e botës

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 19:46
Peci: Me Kurtin kryeministër e Osmanin presidente, u kthye dinjiteti i Kosovës në sytë e botës

Partia Guxo po mban kuvendin e parë zgjedhor në të cilin do të konstituohen organet dhe statuti i saj. Aty u bë thirrje për bashkim dhe u tha se ata që dëshirojnë të devijojnë vullnetin politik përmes formave jo legjitime e kanë të pamundur.

Zëvendësministrja Donika Gërvalla tha se Guxo është parti e evropiane, bashkëkohore dhe e lidhur me historinë e traditën e vendit.

Gërvalla tha se Guxo është partia ku njerëzit punojnë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit.

“Çfarë është partia Guxo? Me pak fjalë do të merrja guximin ta përshkruajë si parti evropiane, parti bashkëkohore, megjithatë parti e lidhur me historinë dhe traditën e vendit tonë, me fokus të veçantë në barazinë mes gruas dhe burrit, vajzave dhe djemve jo vetëm në familje por edhe në profesion e shoqëri, parti ku bizneset dhe ekonomia në përgjithësi, arsimi dhe shëndetësia, por edhe të gjitha sferat e rëndësishme të jetës gjejnë gjithmonë derën e hapur për të kërkuar zgjidhje. Parti ku njerëzit punojnë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri- tjetrit”, tha Gërvalla.

Gërvalla bëri thirrje për bashkim për çka tha se ne këtë mënyrë qëndrojnë të fortë dhe të pathyeshëm.

“Më lejoni të ju sjell në mendje skenën historike kur Skënderbeu në prag të vdekjes thërret djalin e tij Gjonin, dhe i jep një tufë thuprash dhe i thotë të lutem thyej, dhe Gjoni i vogël nuk mund t’i thyejë thuprat sepse janë të gjithë së bashku, kur fillon t’i ndajë thuprat një nga një atëherë i thyen me lehtësinë më të madhe. Prandaj thuprat një nga një mund t’i thyesh or jo të gjitha së bashku, asnjëherë dhe prania juaj në këtë sallë tregon se jemi të gjithë së bashku”, tha ajo.

Gërvalla kujtoi angazhimin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, pastaj Vjosa Osmanin pa angazhimin e së cilës ka thënë se historia do të ishte ndryshe.

Ajo përmendi edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çka ka thënë se ata që ju bashkuan do të mbetën pjesë e ndërgjegjes kolektive dhe pjesa më e ndritur e sakrificës.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se me Vjosa Osmanin presidente dhe Albin Kurtin kryeministër është kthyer dinjiteti i Kosovës në sytë e botës.

Ai tha se Guxo do të jetë në skenën politike edhe në proceset e ardhshme zgjedhore dhe sipas tij ata që dëshirojnë t’i dobësojnë e kanë të pamundur.

“Guxo në skenën politike kosovare nuk vetëmjaftohet me kontribuon e 14 shkurtit. Ne besojmë se do të jemi në skenën tonë politike edhe në proceset e ardhshme zgjedhore një “arrë” e fortë dhe jo lehtë e thyeshme dhe do të jemi kontribuues i vijimësisë dhe jemi garancia që ne nuk jemi ata që në asnjë rrethanë, sikurse që është tregimi i hershëm i kohës së Skënderbeut që dikush të thyejë një nga një thuprat pro të gjithë bashkë në kuvend madhështor përçojmë mesazhin tek të gjithë ata që dëshirojnë që përmes formave jo legale, jo legjitime të devijojnë vullnetin politik, e kanë të pamundur për shkak se ne jemi bashkë dhe do të vazhdojmë të respektojmë kontratën me qytetarët”, tha Peci.

Ky është Kuvendi i parë zgjedhor i Guxo, i cili do të konstituojë organet dhe statutin e kësaj partie.

Me gjithë raportimet se deputetja Doarsa Kica-Xhelili është larguar përfundimisht nga kjo parti, Guxo ende nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

(Kosova Sot Online)