Dy bashkëkryetarët e GUXO reagojnë pas zgjedhjes

  • E.K /
  • 09 September 2022 - 09:26
Dy bashkëkryetarët e GUXO reagojnë pas zgjedhjes

Kryetarët e Listës Guxo, Donika Gërvalla e Faton Peci, janë lajmëruar me pastime në Facebook, pas zgjedhjes në krye të kësaj partie.

Duke publikuar disa fotografi nga Kuvendi zgjedhor i partisë, Gërvalla ka shkruar se e ardhmja iu takon atyre që guxojnë.

“E ardhmja iu takon atyre që guxojnë. Faleminderit shumë për besimin dhe urimet tuaja dhe për këtë kuvend madhështor”, ka shkruar Gërvalla.

Postim më të gjatë ka bërë bashkëkryetari, Faton Peci. Ai ka thënë se “Guxo” është sinonim i besimit qytetar, “besim të cilin secili anëtar vazhdon ta konfirmojë me vepra duke mbajtur fjalën e dhënë, e cila paraqet një kontratë që duhet respektuar”.

Sipas tij, partia “Guxo”, është jo vetëm ofertë, por edhe garanci se guximi në politikë është ndryshimi në realitet.

“Zotohem se detyrën e besuar, do ta ushtroj me ndershmëri, duke pasur gjithmonë udhërrëfyes vullnetin dhe interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovë, duke i kontribuuar edhe më fuqishëm shtetndërtimit dhe orientimit në vlerat e demokracisë perëndimore, por edhe afirmimit të vlerave tona kombëtare e shtetërore. Siç kam bërë edhe deri më tani, do të jem në funksion të së mirës së përgjithshme”, ka shkruar Peci.

Ndryshe, së fundi nga kjo parti ka dhënë dorëheqje deputetja Doarsa Kica-Xhelili, e cila dje zyrtarizoi kalimin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

(Kosova Sot Online)