Zyrtarët ukrainas thonë se rusët vranë dy punëtorë në Zaporizhja

  • S.A /
  • 10 September 2022 - 09:13
Zyrtarët ukrainas thonë se rusët vranë dy punëtorë në Zaporizhja

Forcat ruse që kontrollojnë centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja kanë vrarë dy punonjës në objekt dhe kanë arrestuar dhjetëra të tjerë, i tha AFP-së të premten kreu Agjencisë për Energji Bërthamore të Ukrainës, Petro Kotyn.

Centrali bërthamor i Zaporizhjas, më i madhi në Evropë, u mor nga trupat ruse në mars.

Këto akuza vijnë në kohën e raportimeve për granatime të reja përreth gjashtë reaktorëve të centralit, teksa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore.

Moska dhe Kievi fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e situatës.

“Dy persona janë rrahur për vdekje. Nuk e dimë as ku janë rreth dhjetë të tjerë tani, që janë marrë (nga rusët) dhe pas kësaj nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen e tyre”, tha Kotin, duke shtuar se rreth 200 persona janë arrestuar.

Ai e përshkroi situatën aktuale në uzinë si “shumë të vështirë”, duke përmendur “torturat” e stafit dhe “rrahjet e personelit”.

Afër 11.000 persona punonin në Zaporizhja para se centrali të binte nën kontrollin rus në mars të këtij viti, disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore raportoi gjatë kësaj jave se inspektimi i fundit në Zaporizhja tregoi se në këtë central ka një situatë të paqëndrueshme dhe duhen ndërmarrë “masa urgjente” për të shmangur një aksident bërthamor.

Kjo agjenci ka paralajmëruar se mungesa e stafit dhe stresi me të cilin përballen punëtorët, rrezikojnë që të shkaktojnë edhe probleme në operimin e centralit.

Dy prej 14 inspektorëve të OKB-së po vazhdojnë të qëndrojnë në Zaporizhja për të monitoruar situatën e sigurisë. Më 7 shtator, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se “granatimet kanë dëmtuar linjat elektrike të Zaporizhjës”, duke shtuar se këto dëme minojnë sigurinë bërthamore në këtë uzinë./rel

 (Kosova Sot Online )