Pa njohjen e pavarësisë së Kosovës,Serbia nuk ka perspektivë evropiane

Pa njohjen e pavarësisë së Kosovës,Serbia nuk ka perspektivë evropiane

Gani Qarri

  • 10 September 2022 - 09:01

Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri

Kushtëzimi i Serbisë për anëtarësim në BE, do të jetë mjeti i fundit dhe arma më e rëndë goditëse që do ta detyrojë politikën kriminale të Serbisë që ta pranojë shtetin e pavarur të Kosovës, duke lejuar, mos penguar, as mos lobuar më, kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar, deri në anëtarësimin e saj me të drejta të plota në OKB!

-Siç shprehet edhe njohësi i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, Charles Kupchan, tani kur po paralajmërohet përmbyllja e dialogut, Serbia, në fund, do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, ky do të jetë një rrugëtim që nuk do të përmbyllet me shumë shpejtësi, ndaj mbetet të shihet se si dhe kur do të realizohet si qëllim, sepse deponimi i nxitur antishqiptar nga politika e Vuçiqit & Co, i publikut serb, në një masë është ende edhe kundër hyrjes së Serbisë në BE.

Për aq më tepër Kupchan ka theksuar se letra e presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dërguar udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë, thekson se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis dy vendeve është thelbësor për Ballkanin Perëndimor dhe qon në procesin e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Macron dhe Scholz kanë vërtet të drejtë kur thonë se ajo që nevojitet, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse sipas ekspertit amerikan, ekziston një model për tejkalimin e ngërçit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,ani pse nuk është bërë shumë përparim në zbatimin e tij, si ky me dokumentet personale.

Dhe ai është i bindur se ka një plan se si Serbia do të detyrohet ta njoh përfundimisht pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, sepse ndryshe do të mbetet jashtë BE-së, ndërsa një nga elementet kyçe të kësaj përpjekjeje, do të jetë integrimi i saj në Bashkimin Evropian, e unë besoj se njohja formale duhet të jetë parakusht për integrim në BE, si leva që ka Bashkimi Evropian në marrëdhëniet me Serbinë, për anëtarësimin e plotë të saj, në këmbim të njohjes së Kosovës”, ka deklaruar Kupchan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".