E paprecedent: Kryeprokurori i Speciales “harron” drejtësinë, sulmon politikisht krerët e UÇK-së

  • G.G /
  • 10 September 2022 - 12:30
E paprecedent: Kryeprokurori i Speciales “harron” drejtësinë, sulmon politikisht krerët e UÇK-së

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Hagë, Jack Smith, siç duket ka lënë për disa momente anash drejtësinë, për t’i hyrë komenteve politike karshi krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen atje.
Në disa parashtresa që ai i ka dërguar në gjykatë, e të cilat i ka parë lajmi.net, Smith futet në “ujëra të turbullta” sa i përket fushëveprimtarisë së tij.

Ai përpiqet të “zbërthejë” faktin se pse krerët pas luftës morën pozita të rëndësishme në institucionet e Kosovës. Smith këtë e ndërlidh me suksesin e UÇK-së, të cilën ai përpiqet ta portretizojë si “organizatë” sekrete.

“Të akuzuarit kundërshtojnë dhe minimizojnë faktet kyçe në lidhje m  rolet e tyre në UÇK, pavarësisht se kanë përdorur sukseset e UÇK-së për t’u ngjitur në pozitat e pushtetit në Kosovë gjatë dhe pas luftës. Çuditërisht, ata tani në mënyrë afirmative mohojnë se UÇK-ja kishte fare autoritet apo strukturë, siç mund të shihet në intervistën fillestare, të ashtuquajtur ‘sekrete’ të Hashim Thaçit në Hagë ose deklaratën publike të bërë nga Kadri Veseli pas arrestimit të tij.Të akuzuarit nuk duhet të pajtohen me ndonjë fakt të tillë, por fakti – për të mos përmendur masën – i mohimeve të tyre ka implikime të nevojshme për kohën e nevojshme për të vendosur elementet e provës përtej dyshimit të arsyeshëm”, thotë Smith në këtë parashtresë.

Por këtu nuk ndalet Smith.

Ai pretendon se UÇK ishte organizatë “e fshehtë” në të cilën dominoi “Kodi i Heshtjes”.

“Analiza pasqyroi gjithashtu rrethanat unike të çështjes dhe ndikimin e saj në marrjen dhe paraqitjen e provave. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (‘UÇK’) operoi si një aktor i fshehtë joshtetëror pas fytyrës së saj publike. Provimi i komandës dhe kontrollit brenda një organizate të tillë paraqet sfida të veçanta, duke filluar nga rritja e mbështetjes në provat e dëshmitarëve (në dallim nga dokumentacioni që buron nga institucionet e themeluara prej kohësh) në kodin e heshtjes të futur me kalimin e kohës”, thotë Smith.

Smith nënvizon se Prokuroria që ai udhëheq ka hequr dorë nga mbështetja në gjashtë dëshmitarë nga lista e saj.

Sidoqoftë, ai shton se e tërë çështja e Prokurorisë, sipas parashikimit do të zgjasë 709 orë.

“Duke balancuar këto dhe konsiderata të tjera, çështja e përgjithshme e SPO-së tani është 709 orë. Vlerësimet e përditësuara kanë për qëllim paraqitjen e një rasti të thjeshtuar në përgjithësi. Vlerësimet e dëshmitarëve të izoluar u rritën dhe dy dëshmitarë të tjerë u identifikuan, por reduktime më të mëdha u bënë diku tjetër për të kompensuar këto ndryshime. Prokuroria mori vendimet përfundimtare këtë javë për të mos u mbështetur në gjashtë dëshmitarë nga lista e saj e mëparshme e dëshmitarëve, por shumica e reduktimeve vijnë nga prezantimi i provave të dëshmive me shkrim përmes përdorimit të procedurave të tilla si Rregullat 153-55.Në veçanti, tani ka 196 Rregulla të propozuara 154 dëshmitarë dhe 83 të tjerë propozohen të japin prova tërësisht me shkrim”, tha Smith.

Shqetësimin në lidhje me këto pretendime të Prokurorisë e ka paraqitur edhe avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Keohe.

Ky i fundit në një intervistë për mediat vendore vuri në pah tendencat e lartëcekura të Prokurorisë, duke shtuar se ky është një gabim dhe se UÇK ishte organizatë që luftoi për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës.

“Nuk ka krahasim! Ata po mundohen të dokumentojnë se UÇK-ja ishte një organizatë sekrete. Nuk ishte organizatë sekrete, ishte organizatë e cila luftoi për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës. Ashtu është dhe ashtu gjithmonë ishte. Megjithatë, nëse e sheh aktakuzën, dhe nëse shikoni se çfarë kanë paraqitur, ata synojnë të thonë se UÇK-ja ishte një organizatë e përfshirë në aktivitete kriminale, e në fakt për çfarë ajo luftoi ishte çlirimi i shqiptarëve të Kosovës”, tha dje avokati i Thaçit, Gregory Keohe. 

(Kosova Sot Online)