Sistemi TIMS “çlirohet” nga hakerat, rikthehet në të gjitha pikat kufitare në Shqipëri

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 11:53
Sistemi TIMS “çlirohet” nga hakerat, rikthehet në të gjitha pikat kufitare në Shqipëri

Sistemi TIMS është rikthyer në të gjitha pikat e kalimit kufitar në Shqipëri pas një “lufte” 24 orëshe që nga sulmi kibernetik i Iranit.

Aktualisht sistemi është normalizuar në pikat kufitare të Kapshticës, Kakavijës, Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës dhe Qafë-Thanës, në Portin e Durrësit dhe të Vlorës. Për rikthimin e tij në normalitet të plotë, u punua bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për rikthimin e sistemit dje reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se nuk ka pasur asnjë rrjedhje serioze të dhënash.

“Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”, shkroi Rama.

Sulmi kibernetik i Iranit u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë garantoi mbështetjen për vendin tonë dhe tha se punuan sëbashku për të rikthyer në normalitet sistemin. Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë brenda disa muajsh. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. 

(Kosova Sot Online)