Humbjet 161.7 milionë € për 7 muaj, Trusti del me sqarim

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 12:40
Humbjet 161.7 milionë € për 7 muaj, Trusti del me sqarim

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e investimeve të këtij institucioni (Trsutit) përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro.

Por, sipas FKPK-së, këto nuk mund të cilësohen si humbje por rënie të vlerës së investimeve.

Komunikata e plotë e FKPK-së:

Për shkak të disa raportimeve këtyre ditëve për humbjet, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës sqaron se lëvizjet e vlerës së investimeve të FKPK-së ndryshojnë përditshëm dhe si të tilla nuk mund të cilësohen si humbje por rënie të vlerës së investimeve. Njëherësh rëniet dhe ngritjet janë pjesë e natyrshme e tregjeve financiare sipas zhvillimeve aktuale në botën makrofinanciare dhe gjeopolitike. Këto rënie do të shndërrohen në humbje të realizuara vetëm nëse FKPK-ja i shet investimet dhe i tërheq mjetet, që do të rezultonte në pamundësi rikuperimi e ngritjeje në të ardhmen.

Për t’i ilustruar më mirë lëvizjet periodike, duhet kujtuar se në vitin 2021 FKPK-ja kishte kthim bruto prej +227 milionë euro nga investimet. Gjithashtu aktualisht FKPK-ja ka një ngritje të çmimit të aksionit prej rreth 65% nga themelimi i institucionit, që dëshmon funksionin afatgjatë që e ka strategjia e investimeve.

Sa i përket këtij viti (2022) performanca e periudhës janar-qershor është e pritshme, me ambientin aktual të luftës në Ukraine, krizës energjetike dhe inflacionit dyshifror. Përveç kësaj, pas 30 qershorit kemi pasur ngritje të vlerës së investimeve të FKPK-së, dhe deri në datën e fundit në dispozicion (31 gusht 2022), portofoli “Standard” ka pasur rikuperim prej +3%.

Përkundër se kemi rënie të vlerës sivjet, investimet e FKPK-së ranë dukshëm më pak sesa vlera e indekseve kryesore botërore. Për krahasim, deri më 31 gusht 2022, çmimi i aksionit të FKPK-së u zhvlerësua për -4.5%, kurse indeksi i MSCI World ra me -16%, ai i S&P500 me -18% dhe STOXX 600 me -15%.

Këto argumente janë për të qartësuar se për kontribuuesin është e rëndësishme që të analizohet gjendja e llogarisë së kursimeve pensionale nga fillimi e deri në datën aktuale, e jo vetëm për një vit kalendarik – pasi edhe institucioni investon me synime afatgjata.

Efektin e plotë të investimeve një kontribuues në FKPK e realizon drejtpërdrejt vetëm kur pensionohet. Pikërisht që mos të ketë dëmtim të interesit të kontribuuesve afër pensionimit, Bordi Drejtues i FKPK-së e ka plasuar portofolin investues Konservativ, që mbron në maksimum mjetet e akumuluara të kontribuuesve të moshës 63.5 vjeçare e lart. Të njëjtëve iu investohen mjetet vetëm në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, që kanë interes të paracaktuar. Për këtë vit ky portofol (Konservativ) kishte kthim pozitiv nga investimet prej +1.8%.

Bordi Drejtues gjatë vitit 2022 ka bërë maksimumin e mundshëm, duke i lëvizur mjetet në pozitën më mbrojtëse dhe plasuar shumicën e mjeteve në instrumente me rrezik shumë të ulët. Aktualisht rreth 46% e të gjitha mjeteve (ose mbi 1 miliard euro) janë të investuara në tregun e parasë së gatshme, depozitat bankare në Kosovë dhe letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, duam t’i sigurojmë kontribuuesit se në afatgjatë investimet e tyre janë duke u bërë në mënyrën më të kujdesshme dhe gjithnjë bazuar në parimet e Ligjin mbi Fondet Pensionale. Kjo vërtetohet me perfomancën pozitive në afatgjatë, që secili kontribuues mund ta verifikojë përmes llogarisë personale.

(Kosova Sot Online)