Për tetë ditë, vetëm tri automjete i kthyen targat në RKS

  • E.K /
  • 12 September 2022 - 15:43
Për tetë ditë, vetëm tri automjete i kthyen targat në RKS

Prej se kur ka filluar procesi i përgatitjeve për regjistrimin e veturave dhe kthimin e targave nga ato ilegale në RKS, janë regjistruar me targa RKS gjithsej tre automjete.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

Sipas saj, një rast është në komunën e Dragashit, një në Prizren dhe një në Leposaviq.

“Siç e dini, rasti në Leposaviq është shoqëruar me incident pasi pronarit të automjetit të regjistruar me targa RKS, që është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i është djegur një pjesë e shtëpisë të njëjtën ditë”.

“Që nga dita parë mund të siguroj se në të gjitha qendrat ka pasur interesim të qytetarëve, por natyrisht më duhet të theksoj se në veri përkundër interesimit të qytetarëve shihet që ka një propagandë e cila vjen direkt edhe nga Serbia dhe fatkeqësisht ne kemi një incident, do të thotë vetura e parë që është regjistruar në veri, një rreshter policor i Kosovës ka bërë kthimin në targa RKS dhe të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia, i është djegur një pjesë e saj, dhe kjo padyshim ka për qëllim frikësimin e qytetarëve të asaj ane. Por, si Ministri e Punëve të Brendshme ne jemi të përkushtuar dhe të pakompromis që të përfundojmë me sukses këtë proces, duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve që të raportojnë çfarëdo kërcënimi që ata mund të kenë nga strukturat e ndryshme kriminale që të mos i regjistrojnë veturat e tyre në targa RKS”.

“Fokusi i MPB-së është që ne t’i marrim të gjitha veprimet dhe të punojmë bashkë për informim të drejtë dhe transparent për qytetarët në mënyrë që të gjithë shtetasit tanë të jenë të informuar mbi vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, automjetet të cilat do të mbeten të paregjistruara edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare. Data e fundit për regjistrim mbetet 31 tetori i këtij viti. Fushata e informimit do të vazhdojë në mënyrë intensive gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim anë e mbanë Kosovës”.

“Të gjitha përgatitjet operacionale tashmë janë gati dhe presim që ditëve të ardhshme të kemi edhe raste të tjera të cilët do t’i regjistrojnë veturat e tyre në QRA-të përkatëse, duke përfituar nga lehtësirat e parapara në këtë proces”.

(Kosova Sot Online)