Mbrojtësja e viktimave thotë se Salih Mustafa është përgjegjës për krimet që akuzohet

  • E.K /
  • 14 September 2022 - 12:18
Mbrojtësja e viktimave thotë se Salih Mustafa është përgjegjës për krimet që akuzohet

Përgjatë deklaratës së saj përfundimtare, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues, ka shprehur qëndrimin e ekipit të saj se Salih Mustafa është përgjegjës për krimet, për të cilat akuzohet nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Ajo në deklaratën e saj përmbyllëse ka deklaruar se arrestimi i viktimave ka qenë i padrejtë dhe pa ndjekur ndonjë proces për garanci ligjore.

Mbrojtësja e viktimave ka thënë se ndalimi arbitrar është dhunim i të drejtave të njeriut që është një e drejtë themelore e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Tutje, ajo tha se pas ndalimit arbitrar fillestar janë ekspozuar ndaj një trajtimi çnjerëzor, torture dhe vrasje dhe prandaj nënvizojnë këtë aspekt të ndalimit arbitrar pasi ishte një përvojë çnjerëzore që ka bërë që viktimat të ndjeheshin të pafuqishme dhe cenuara.

Pues tha se nuk ka asnjë dyshim që njerëzit janë ndaluar dhe janë ndaluar pa asnjë arsye të justifikueshme dhe në mungesë të një ligji që të mbështeste paraburgimin e tyre

“I akuzuari mban përgjegjësi edhe për trajtimin çnjerëzor të viktimave që kanë dhënë dëshmi para trupi gjykues dhe viktimave tjera të mbajtura në komplesin e Zllashit”, tha mbrojtësja e viktimave.

Sipas saj, dëshmitë tregojnë qartë përfshirjen e drejtpërdrejt të akuzuarit në krime dhe kanë bërë të mundur procedimin e tij si kryes i drejtpërdrejt.

Mbrojtësja e viktimave, Anni Pues, deklaroi se njësiti BIA kanë ndaluar ata persona që për ta ishin të padëshiruar, i kanë përshkruar si spiunë apo hajdut për shkak se nuk i pëlqenin pikëpamjet e tyre politike dhe kjo formë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale është pjesë e së drejtës zakonore.

Ajo ka deklaruar se përgjegjësia komanduese ishte pjesë e ligjit zakonor në kohën e krimeve në vitin 1999 dhe se Statuti i Romës i vitit 1998 e vërteton këtë ashtu siç e bën edhe Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Pues ka thënë se nëse njësiti del nga kontrolli është detyrë e komandantit të dënoj ata që janë përgjegjës.

“Komandant Cali ishte komandant i BIA dhe nuk ka asnjë dyshim. Kur ai nuk ka marrë pjesë të drejtpërdrejt për krimet në fjalë, vartësit e tij e kanë bërë këtë, ai e ka ditur dhe ka pas arsye të di çka ka ndodh në Zllash”, tha ajo, duke shtuar se ai ka marrë pjesë edhe në formë të drejtpërdrejt dhe nuk ka ndërmarrë masa për të ndaluar këtë.

Ajo i tha Mustafës se ai dhe njerëzit e tij kanë kryer krimet për të cilat është akuzuar dhe se në komandën e tij një person është vrarë.

“Jam dakord me prokurorinë që kjo mungesë njohurish për momentet e fundit, nuk nënkupton i akuzuari nuk është përgjegjës për këtë vrasje. Bazuar mbi dëshminë që kemi dëgjuar gjatë gjithë gjyqit janë vetëm tre viktima të mundshme për vdekjen e viktimës së vrasjes sic është diskutuar në mënyrë të përgjithshme nga pala e prokurorisë”, tha tutje ajo.

Sipas saj, ky skenar është që anëtarët e BIA-së kanë kryer veprën penale të vrasjes duke ja marrë jetën viktimës para se të largoheshin nga kompleksi i Zllashit.

Arsyeja se pse ka ndodhur kjo sipas saj, mund të jetë për shkak se kanë pasur frikë se mund të identifikoheshin apo se viktima do të ishte barrë gjatë procesit të evakuimit pasi nuk mund të ecte për shkak të torturave të pësuara dhe dëshmitë kishin treguar se kanë pasur këmbët e thyera.

Ajo tha se skenari që parashikon që viktima është vrarë nga BIA është shpjegimi më i mundshëm.

Lidhur me skenarin e dytë, ajo tha se është e mundur që kur BIA u largua nga kompleksi i Zllashit u la prapa kur po vinin forcat armike dhe vdiq si rezultat i plagëve të marra nga BIA.

Ajo tha se ky skenar është më pak i mundur, por se përsëri nuk e heq përgjegjësinë e të akuzuarit.

“Tortura kaq e rëndë që është demonstruar gjatë këtij gjyqi sa i përket viktimës së mbrojtjes kishte gjasat më të mëdha që të çonte në vdekjen e tij dhe në njëfarë mënyre është skenar më i rëndë të lësh dikë të vdes në dhimbje kur ka pësuar lëndime kaq të mëdha”, tha ajo.

Kurse, tha se skenari më pak i pranueshëm është që viktima është lënë pas i lënduar rëndë në atë mënyrë që nuk ishte në gjendje as të ecte as vraponte për të kërkuar ndihmë dhe teorikisht mund të ishte vrarë nga zjarri i armikut. Por,sipas saj, edhe në këto kushte, kjo nuk e heq përgjegjësinë e të akuzuarit pasi ishte i ndaluar i njësitit të akuzuarit dhe ka pasur përgjegjësi të kujdesej për të.

Sipas saj, i akuzuari të paktën kishte arsye të dinte se krimi i vrasjes do të kryhej.

Pues tutje diskutoi për kredibilitetin e disa dëshmitarëve dhe dëshmitë pranë panelit, ku tha se nuk do të përsëris ato që ka thënë prokuroria.

“Kemi parë se disa dëshmitarë janë paraqitur në mënyra të ndryshme gjatë këtij gjykimi, kemi pa sjellje shumë të largët, momente për të qëndruar në kontroll, momente zemërimi, shkurtimisht kemi parë gamë sjellje të ndryshme të shfaqura nga ata që kanë raportuar krimet. Kjo gamë sjelljesh pritet nga viktimat e ngjarjeve traumatizuese”, tha ajo.

Ajo tha se truma lidhur me mënyrën se si truri vepron me informacionin ndryshon shumë nga një viktimë në tjetrën që kanë përjetuar të njëjtat ngjarje, sipas saj, disa kanë vështirësi të kujtojnë apo rrëfejnë në mënyrë lineare apo të plotë, kurse disa të tjerë mund të bëjnë rrëfime të hollësishme.

“Dëshmitari 01679, i cili na tregoi një histori të rëndësishme dhe hollësishme nga vuajtjet e tij në Zllash, edhe pse vuan me stres post-traumatik, të bënte përshtypje të shikoje kur përpiqej të ishte i qetë dhe kontrolluar, u përpoq të mos linte emocionin ta kaplonte. Për mendimin tim nuk ka dyshim që ky dëshmitar ishte i besueshëm”, tha tutje ajo.

Sipas saj, një fakt i rëndësishëm është që ishte në gjendje të identifikonte njërin nga torturuesit e tij me emrin Bimi para se të përmendej në gjykatë.

Për dëshmitarin 04669, ajo tha se ishte një viktimë e drejtpërdrejt që dëshmoi në këtë gjykatë dhe se i njëjti ishte i besueshëm.

“Ai dëshmoi në mënyrë të qetë, të përmbajtur, mbështetur nga gjuha e trupit të tij, duke bërë përpjekje të mëdha që emocionet negative mos t’i linte të ndërhynin në tregimin e tij të ngjarjeve”, tha ai, duke shtuar se edhe ai iu nënshtruar ekzaminimit të ekspertëve që tregoi se trupi i tij i mbushur me shenja përputhej me tregimin e tij për rrahjet që kishte pësuar”, ka thënë Pues.

Ndërsa, për dëshmitarin 03593, ajo tha se nuk ka dyshim se është ndaluar arbitrarisht dhe i është nënshtruar torturës e trajtimit mizor.

“Ai madje u përpoq të na tregonte edhe shenjat që dukeshin fizikisht, raportoi shumë nga treguesit e traumave, anktheve e shqetësimeve që kishin me gjumin”, tha ajo.

Sipas saj, të gjitha viktimat e drejtpërdrejta kanë dhënë rrëfime për përvojat e tyre në Zllash që nuk lë dyshim se kanë ndodhur tortura dhe se janë bërë nga njësiti BIA nën komandën e Salih Mustafës që është përgjegjës për këto krime.

Për njërin nga dëshmitarët, ajo tha se dëshmia e tij dukej më pak e besueshme në krahasim me dëshmitë tjera dhe ka vlerë të kufizuar provuese dhe nuk përputhej me deklaratën e mëparshme dhe paraqiti hollësi që do të kishin qenë të rëndësishme dhe se i solli këto vetëm në gjykatë.

“Më lejoni të kujtoj si e përshkroi ai pas lirimit të tij, ishte ndaluar të rruhej sepse po iknin nga forcat që po afroheshin armike, ishte e çuditshme kur e përshkroi në mënyrë që nuk ia shpjegoi kush që viktimat tjera nuk kishin këmbë të thyera, dhëmbë të thyer, ky dëshmitari kishte për mision të zbuste çdo veprim që mund ta lidhnin me UCK apo akuzuarin, motivimi i tij mund të lidhet me atë se familja e tij e të akuzuarit vazhdojnë të jetojnë bashkë si fqinjë”, tha ajo tutje.

Sipas saj, pavarësisht nga përpjekjet për të mitizuar çdo veprim të akuzuarit apo njësisë së tij, dëshmitari provoi disa elemente që kishin thënë viktimat tjera, si ndalimin e paligjshëm, përshkrimin e vendit dhe kompleksit në Zllash, zonën e ngritur, dhomën në ahur dhe dërrasat e vjetra.

Ajo tha se ai konfirmoi se pa shenja në trupat e tyre dhe lirimin e tyre në fillim të ofensivës serbe dhe të ecurit ngga Zllashi në Prishtinë dhe konfirmoi se kushtet në Zllash ishin çnjerëzore.

Pues tha se edhe ky dëshmitar konfirmoi akuzat e ndalimit arbitrar dhe trajtimit çnjerëzor.

Sot pritet që deklaratat përmbyllëse t’i paraqes mbrojtësja e viktimave dhe avokati i Mustafës

Në seancën e së mërkurës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës,  pritet që deklaratat përmbyllëse t’i paraqesin mbrojtësja e viktimave dhe mbrojtja e Mustafës.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)