Operacionet plastike “çojnë” familjen Meta në SPAK

  • E.K /
  • 15 September 2022 - 11:33
Operacionet plastike “çojnë” familjen Meta në SPAK

Ilir Meta është kallëzuar sërish në SPAK bashkë me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, këtë herë nga avokati Idajet Beqiri. Ky i fundit ka depozituar kallëzim penal ndaj tyre për disa vepra penale mes të cilave “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Në padinë e tij avokati ka argumentuar se anëtarët e familjes Meta kanë marrë një sërë trajtimesh estetike me shuma të kushtueshme. Po sipas tij, vetëm një nga ndërhyrjet estetike të Monika Kryemadhit ka kushtuar mbi 280 000 euro dhe është paguar nga një llogari bankare “offshore” në Qipro.

Pjesë e padisë janë edhe dy fëmijët e çiftit Meta, Besari dhe Bora. Avokati ka renditur disa raste që sipas tij Meta dhe Kryemadhi kanë kryer trajtime mjekësore me vlera kolosale. Kjo nuk është padia e parë për Metën dhe Kryemadhin. Në qershor të këtij viti ata u kallëzuan nga ish-deputeti Halit Valteri i cili i akuzon për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.

(Kosova Sot Online)