Krasniqi-Kurtit: Kupto gabimin me sindikatat, s’ta përmendim më

  • E.k /
  • 15 September 2022 - 13:10
Krasniqi-Kurtit: Kupto gabimin me sindikatat, s’ta përmendim më

Kryetari i PDK-së, Memli Kransiqi, ka thënë se është faji i kryeministrit Kurti pse shkollat ende nuk janë hapur për nxënësit.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e sindikatave po i linçon dhe saboton dhe se me këtë ka krijuar një precedent të rrezikshëm.

“Ke krijuar precedentin më të rëndë për secilën kategori. E ke vendosur në fokus Rrahman Jasharin, duke i ngjitur tulifar epiteti. Me këtë ke treguar se  që do t’i sabotosh, do t’i penalizosh dhe do t’i linçosh me armatën tënde virtuale të Facebook-ut. Ke treguar se më dialog social s’ka se ti ke ardhur në pushtet. Lej shpjegimet, gjej zgjidhje”.

Krasniqi bëri edhe një zotim në rast se Kurti e pranon “gabimin”.

“Nëse e kupton që je qasur gabimisht, zotohem publikisht se nuk ta përmendim më”.

“Edhe nëse s’je problemi, ti je zgjidhja. Po të kërkoj dhe të them që duhet të zgjidhësh nyjën, pjesë e së cilës je bërë edhe vetë. E dimë që këto janë jashtë planifikimeve që ti ke bërë. Por e di mirë që situata të tilla ndodhin. Na kanë ndodhur edhe neve”.

Krasniqi tha se sindikatat historikisht kanë qenë në aleancë më shumë me Vetëvendosjen se dikë tjetër.

“Njerëzit e sindikatave nuk flasin për vete personalisht, por i përfaqësojnë. Mënyra se si je qasur ka qenë dhe po mbetet e gabuar, prandaj jemi në këtë situatë. S’është se kush ka të drejtë, por se kush e zgjidh këtë. Padrejtësinë më të madhe sot po e përjetojnë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Kjo është përgjegjësia jote”.

Krasniqi akuzoi Kurtin se po sillet pa përgjegjësi dhe me patronalizëm, derisa në fund i tha se i ofron mbështetje nëse dilet nga pozicioni i grevës.

“Gjej zgjidhje, ne po të mbështesim. Mos lufto si Don Kishtoti me armiq imagjinarë që realisht nuk i ke”.

(Kosova Sot Online)