Finalizohet marrëveshja me BE, Shqipëria ndihmohet me 600 mln euro

  • E.K /
  • 16 September 2022 - 12:31
Finalizohet marrëveshja me BE, Shqipëria ndihmohet me 600 mln euro

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen me BE-në për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare të BE-së.

Ndihma financiare do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit deri në 600 milionë euro për shtatë vitet e ardhshme.

Marrëveshja e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit),  do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).

Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe kandidatët e mundshëm në miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.

Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi dhe qeverisja vendore dhe civile. 

(Kosova Sot Online)