Rrezik për sigurinë kibernetike, Kurti merr masa, shkon në Mitrovicë për sistemin SNMS

  • E.K /
  • 19 September 2022 - 14:43
Rrezik për sigurinë kibernetike, Kurti merr masa, shkon në Mitrovicë për sistemin SNMS

Në Shipol të Mitrovicës sot u inaugurua Sistemi Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor (SNMS).

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë, Qeveria po merr masa konkrete për t’i adresuar rreziqet për sigurinë kibernetike të vendit.

“Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe në ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve”, citohet të ketë thënë Kurti në këtë organizim.

Kurti tha se Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, nxënien e brezeve të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës, që njëherësh janë konform obligimeve ndërkombëtare.

Komunikata e plotë e Zyrës së Kryeministrit:

U inaugurua Sistemi Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor – SNMS

Mitrovicë, 19 shtator 2022

Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, nxënien e brezeve të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës, që njëherësh janë konform obligimeve ndërkombëtare, të cilat i ka vendi ynë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e inaugurimit të Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor – Sistemin SNMS,  organizuar në Shipol të Mitrovicës.

Kryeministri theksoi se falë projekteve të zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë, si dhe është duke i bërë hapat e parë për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Shtrirja e rrjeteve mobile 5G kërkon monitorim dhe analizim të sofistikuar të brezit frekuencor.

Qeveria e Kosovës që nga fillimi i mandatit të vet e ka përkrahur projektin KODE dhe rrjedhimisht edhe projektin e SNMS-së. Ky projekt është shpallur projekti me qëllim të mbrojtjes nacionale me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më datën 13 prill të vitit 2021.

Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe në ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve. Prandaj, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike, si nga aspekti i politikëbërjes, po ashtu edhe ndërmarrjes së masave konkrete, që i adresojnë rreziqet për sigurinë tonë kibernetike, potencoi kryeministri Kurti.

Javën e kaluar në Qeveri u aprovua projektligji për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, që do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike.

Kryeministri tha se me zbatimin e Sistemit Nacional për Monitorimin e spektrit frekuencor, po ndërmarrim një hap konkret, i cili ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës ju siguroj që do ta mbështes ARKEP-in, KPM-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe të gjithë akterët tjerë relevant dhe nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë, që sistemet e tilla të mund të përdoren në mënyrë sa më efikase, shtoi ai.

Kryeministri falënderoi në mënyrë të veçantë Bankën Botërore, për mbështetjen e pa rezervë të institucioneve tona, në këtë rast Ministrisë së Ekonomisë dhe të ARKEP-it në zhvillimin e këtij projekti shumë me rëndësi, por edhe në zhvillimin e Programit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, Programi KODE. Mirënjohje të veçanta i takojnë kompanisë zbatuese të projektit TCI International, që vjen nga shteti mik amerikan, shtoi ai. 

Në ceremoninë e inaugurimit të pranishëm ishin edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësues të Bankës Botërore, ARKEP-it, Ambasadës dhe kompanisë zbatuese amerikane, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave partnere.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Inaugurimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor – SNMS:

E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj.Rizvanolli,

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z.Sveçla,

Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore, z.Mantovanelli, znj.Klingen dhe znj.Gelvanovska,

I nderuar kryetar i bordit të ARKEP-it z.Rahimi,

I nderuar përfaqësues i Ambasadës dhe kompanisë zbatuese amerikane,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ne sot po përurojmë një sukses të radhës, krijimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor – Sistemin SNMS.

Tanimë edhe Kosova e ka një sistem të tillë, me teknologji të avancuar, përmes të cilit do t’i mundësohet Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ARKEP-it, monitorimi efikas i tërë spektrit frekuencor në tërë Republikën e Kosovës.

Unë do të doja të falënderoja në mënyrë të veçantë partnerin tonë, Bankën Botërore, për mbështetjen e pa rezervë të institucioneve tona, në këtë rast Ministrisë së Ekonomisë dhe të ARKEP-it në zhvillimin e këtij projekti shumë me rëndësi, por edhe në zhvillimin e Programit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, Programi KODE. Mirënjohje të veçanta i takojnë kompanisë zbatuese të projektit TCI International, që vjen nga shteti mik amerikan.

Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, nxënien e brezeve të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës, që njëherësh janë konform obligimeve ndërkombëtare, të cilat i ka vendi ynë.

Falë projekteve të zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë, si dhe është duke i bërë hapat e parë për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Shtrirja e rrjeteve mobile 5G kërkon monitorim dhe analizim të sofistikuar të brezit frekuencor.

Qeveria e Kosovës që nga fillimi i mandatit të vet e ka përkrahur projektin KODE dhe rrjedhimisht edhe projektin e SNMS-së. Ky projekt është shpallur projekti me qëllim të mbrojtjes nacionale me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më datën 13 prill të vitit 2021.

Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe në ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve. Prandaj, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike, si nga aspekti i politikëbërjes, po ashtu edhe ndërmarrjes së masave konkrete, që i adresojnë rreziqet për sigurinë tonë kibernetike. Javën e kaluar në Qeveri e aprovuam Ligjin për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, që padyshim se do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Me zbatimin e Sistemit Nacional për Monitorimin e spektrit frekuencor, po ndërmarrim një hap konkret, i cili ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.

Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës ju siguroj që do ta mbështes ARKEP-in, KPM-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe të gjithë akterët tjerë relevant dhe nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë, që sistemet e tilla të mund të përdoren në mënyrë sa më efikase.

Shteti ynë është pjesë e iniciativave ndërkombëtare për sigurinë e sistemeve dhe rrjeteve të ardhshme mobile 5G. Ky sistem do të ndihmojë që kontributi jonë në këto iniciativa të jetë sa më përmbajtësor dhe gjithsesi përherë i rëndësishëm.

Jam shumë i lumtur që në këtë javë digjitale në të cilën do të organizojmë edhe Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, po e bëjmë përurimin e këtij sistemi kaq të rëndësishëm.

Ju falënderoj të gjithëve për punën tuaj të përkushtuar dhe ju uroj suksese të vazhdueshme.

(Kosova Sot Online)