Reagon Brukseli për planin e supozuar 13 pikësh të marrëveshjes Kosovë-Serbi

  • E.K /
  • 19 September 2022 - 15:18
Reagon Brukseli për planin e supozuar 13 pikësh të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Draft-plani i supozuar i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi që po qarkullon këto ditë në media, është komentuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka thënë se nuk i komenton artikujt e mediave. 

“Si rregullë e përgjithshme dhe parimore, ne nuk kemntojmë për artikuj të supozuar në media, as në kuptim të vërtetësisë apo të përmbajtjes” ka thënë Stano.

Sipas kornizës të cilën e ka publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

(Kosova Sot Online)