Mehaj: Tash kemi bazë ligjore për dërgimin e forcave të FSK-së jashtë vendit

  • E.K /
  • 20 September 2022 - 10:31
Mehaj: Tash kemi bazë ligjore për dërgimin e forcave të FSK-së jashtë vendit

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se me miratimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë Shtetit, tani ka edhe bazë ligjore përmes së cilës rregullohen procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së ushtarëve tanë në operacione ndërkombëtare.

“Si asnjëherë më parë ushtarakët tanë kanë marrë pjesë në qindra misione jashtë vendit, tani me miratimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë Jashtë Vendit kemi krijuar dhe bazën ligjore përmes së cilës rregullohen procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së ushtarëve tanë në operacione ndërkombëtare humanitare, misione paqeruajtëse, stërvitje dhe ushtrime të tjera ushtarake përkrah shteteve partnere, e po ashtu kemi rregulluar dhe çështjen e sigurimit shëndetësor për secilin ushtar në shërbim jashtë vendit, si dhe përkujdesin ndaj familjes së tyre përgjatë misionit”, ka shkruar Mehaj.

Po ashtu ai ka thënë se “bashkë jemi të përkushtuar për të mbushur të gjitha standardet për të qenë shtet anëtar i NATO-s”.

Misionet paqeruajtëse, Kosova i zhvillon në bashkë me forcat amerikane dhe ushtrive të tjera anëtare të NATO-s. 

(Kosova Sot Online)