Sali Berisha: Ervis Martinajn e kanë ndarë në 6 pjesë, Rama e di se ku është

  • E.K /
  • 21 September 2022 - 14:19
Sali Berisha: Ervis Martinajn e kanë ndarë në 6 pjesë, Rama e di se ku është

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar pasditen e së mërkurës në mbledhjen e Grupit Parlamentar të kësaj partie se kryeministri Edi Rama e di se ku ndodhet i shumëkërkuari Ervis Martinaj i zhdukur që prej 7 gushtit.

“Nuk ka sektor që ky nuk ka shtrirë tentakulat e veta. Ia morën lojërat e fatit Ervis Martinit dhe tani thotë ku është. E di vetë ai ku është. Ai ishte biznesmen i lojërave të fatit. Olsi Rama është përfolur si njeriu në hije i lojërave të fatit. Shko e pyet Baton Stanishiçin dhe Ymer Çorapen se ata e dinë. A nuk shkruajtën ata se është në gjashtë copa në prokurori. Një njeri i zhdukur dhe një shtet bandit që thotë se është në gjashtë copa në prokurori. Do thoni ju, nuk e tha Fuga, por e thanë Fugat e tij. A ka njerëz më të afërt? A nuk ishte Baton Stanishiçi që na thoshte para tre muajsh se Linda është për presidente. Ai nuk e thoshte nga mendja e tij. Ai është zëdhënës i familjes në këtë formë. Po kjo çfarë prokurorie është që thuhet se mban një trup me gjashtë copa dhe nuk bën një përgënjeshtrim? Sepse kontrollohet nga Rama.Nëse është në gjashtë copa, familja njoftohet. Është kod shekullor”, tha Berisha.

14 ditë pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama ndaj policisë së shtetit të cilës i kërkoi që të zbulojë sa më parë çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn, ende nuk kemi asnjë të dhënë zyrtare nga autoritetet për të shumëkërkuarin. I pyetur 4 ditë më parë nga gazetarët, Rama tha se përgjigjja pak a shumë dihet, por se policia duhet ta mbështesë në prova. Më tej Rama shtoi se do ta kemi përgjigjen zyrtarisht shumë shpejt.

“Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt. Sepse përgjigjja e Policisë së Shtetit duhet të jetë një përgjigje që duhet të mbështetet dhe në prova, nuk është thjesht një përgjigje të cilën pak a shumë e kemi që sot, por s’mund të thuhet zyrtarisht sepse kërkon të jetë e provuar”, deklaroi Rama.

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Familjarët thanë se kanë humbur çdo kontakt me Martinajt më 7 gusht. 

(Kosova Sot Online)