Audio-incizimi që dëshmon për pazaret e ndërtuesve në Brezovicë/VIDEO

  • G.G /
  • 21 September 2022 - 16:25
Audio-incizimi që dëshmon për pazaret e ndërtuesve në Brezovicë/VIDEO

Një nga ndërtuesit më të mëdhenj në Brezovicë, dëshmon për pazaret në kryerjen e krimeve kundër ambientit në zonën e Parkut Kombëtar të Sharrit. Një audio-incizim të cilin e ka siguruar Paparaci, impikon afaristin Bashkim Hamiti në ndërtime ilegale, ryshfet dhe korrupsion. 

Bashkim Hamiti, një biznesmen i ndërtimeve, kryente punë ndërtimi pa leje pëlqimi në Parkun Kombëtar të Sharrit në Brezovicë, dëshmon një audio-incizim ekskluziv që ka siguruar Paparaci.

Punimet i ekzekutonte në bashkëpunim me inspektorët e shtetit, e pranon Hamiti në një audio-incizim ku dëshmohen pazaret e tij për ndërtime ilegale në Brezovicë.

“Me 1,000-1,500 euro ata [inspektorët,v.j] ndalen”, siguron biznesmeni nga Ferizaj, bashkëfolësit e tjerë.

Audio-incizimi është realizuar para një periudhe kohore, kur kryetar i Komunës së Shtërpcës ishte ende Bratisllav Nikoliq – i njohur si “Braca”. Nikoliq është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar. Ai ndodhet në paraburgim nën dyshimet për marrje ryshfeti në vlerë mbi një milion euro.

Në bisedën ku diskutohej për ndërtimet ilegale në Brezovicë, Bashkim Hamiti pranon të kryejë punë ndërtimi në mënyrë ilegale.

“Qetash është koha e pushimeve,i kisha q* nanën rrak-tak, e kisha rrafshu, e kisha qitë bodrumin, e kisha qitë plloqën. Tani leje njëherë”, pohon Hamiti, i cili bashkë me vëllanë e tij, Florimin, dyshohen për përfshirje në shkatërrimin e mjedisit në Parkun Kombëtar të Sharrit.

“Problemi është me e mbaru, se s’i ta mbarojsh ma, u kry muhabeti aty. M’u marrë mendja që kishim bë diçka qashtu”, vijon ai.

Për legalizimin e objekteve brenda zonës së Brezovicës duhej të paguheshin mbi dhjetë mijë euro në Komunën e Shtërpcës.

Ryshfeti kalonte “në pesë-gjashtë duar”, rrëfen ndërtuesi ilegal i Brezovicës. Si përfundim e kishin një person. Të hollat pretendohet se përfundonin te “Braca”, ish-kryetari i Shtërpcës, tek kur mendohej se zhdukeshin gjurmët.

“Duhesh me dhanë për leje, se pa dhanë nuk ki qare”, thotë Hamiti gjatë bisedës. “Nër dhjetë s’e jep. Duhet me shku dorë më dorë. Duhet pesë gjashtë shokë derisa të përfundojnë tek ai. Humb traka”.

Hamiti është ndërtuesi i dytë më i madh i objekteve në Brezovicë pas Alban Qukës, një biznesmeni tjetër ndërtimesh, raporton Paparaci. Ai dyshohet për disa sërë ndërtimesh pa leje në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Mbi këto pretendime, afaristi Hamiti është vënë në ndjekje nga Prokuroria e Shtetit. Por, Policia e Kosovës nuk e ka gjetur atë në shtëpinë e tij në një operacion që realizoi gjatë kësaj jave.

Bashkim Hamiti dyshohet se është arratisur jashtë vendit.

Por, në prangat e policisë ka rënë të premten i afërmi dhe bashkëpunëtori i tij në biznes e në keqpërdorime, Florim Hamiti.

Florim Hamiti është arrestuar bashkë me shtatë të tjerë, ish-zyrtarë shtetërorë e njerëz të politikës, që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit dhe falsifikim me dokumente.

Paparaci, raportoi të premten se dy njerëz të lidhur me politikën dhe ish-funskionar të lartë shtetërorë janë arrestuar në aksionin “Brezovica 3”, ndërkaq një tjetër ndodhet në kërkim policor.

Ilir Morina, ish-kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zijadin Geci, këshilltar i ish-ministrave të Mjedisit, Alblena Reshitaj dhe Fatmir Matoshi, janë prangosur të premten.

Ata dyshohen për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’.

Ndërkaq, Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ndodhet në kërkim policor.

Shtëpia e asamblistit Lahu është bastisur rreth orës 05:00 të mëngjesit të së premtes, por ai nuk është ndodhur aty. Policia e Kosovës i ka lënë atij një ftesë për paraqitje në stacionin policor dhe i njëjti është shpallur në kërkim policor.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara, Prokuroria e Ferizajt njoftoi sot se janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefonë e një orë dore.

Prokuroria kërkoi nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga gjykata.

Në aksionin e parë të njohur si “Brezovica”, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ishin arrestuar dhjetë persona. Në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Aksioni kishte vazhduar edhe në janar të këtij viti me ç’rast kishte rezultuar me arrestimin e shtatë personave.

Prokuroria javë më parë ka ngrirë xhirollogaritë e investitorit privat “Stella Consulting” Sh.P.K., firmës private në bashkëpronësi të biznesmenit shqiptar Gentjan Sula dhe publicistit Veton Surroi.

“Stella Consulting” dyshohet se i ka dhënë ryshfet prej rreth 400 mijë eurove ish-kryetarit Nikoliq në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë.

Aksioni për aferën “Brezovica” ka nisur në dhjetor të vitit të kaluar. Deri tani, rreth 30 persona kanë përfunduar në prangat policore. 

https://www.youtube.com/watch?v=eL1109cYYAc&feature=emb_title

(Kosova Sot Online)