Kurti me fjalë të mëdha përkujton Fehmi Lladrovcin, Xhevën e krahason me Shotën

  • E.K /
  • 22 September 2022 - 10:38
Kurti me fjalë të mëdha përkujton Fehmi Lladrovcin, Xhevën e krahason me Shotën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heronjtë kombetarë, Fehmi e Xhevë Lladrovci në 24 vjetorin e rënies së tyre.

Kurti e ka vënë në memorie një intervistë të shkurtër të Lladrovcit dhënë BBC-së, gjatë luftës.

“Në maj të vitit 1998 në malet e Drenicës dhe me uniformë të UÇK-së, kur ishte pyetur nga një ekip televiziv i BBC-së: “A do të vdisnit për Kosovën?”, Fehmi Lladrovci ishte përgjigjur: “Gjithqysh edhe me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta!”. E thënë me buzëqeshje në fytyrë dhe duke shtërnguar automatikun me duar, kjo përgjigje e Fehmi Lladrovcit është kthyer në një nga deklaratat më të njohura e dhënë nga një ushtar i UÇK-së”, ka shkruar Kurt.

Ndërsa ka shkruar edhe për Xhevën, një grua heroine në historinë e re të Kosovës.

“Që nga vitet ’80-të e tutje, emri i Fehmi Lladrovcit haset kudo ku kishte veprimtari politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Por ashtu siç emri i Azem Galicës rëndom përmendet bashkë me emrin e gruas së tij Shotës, edhe emri i Fehmi Lladrovcit është bërë i pashqitshëm nga emri i gruas së tij Xhevë Krasniqit. E lindur më 1955 në Drenoc të Malishevës, Xheva kishte shumëçka nga Shota, përderisa ishte e bija e Hanife Bujupit dhe Abdyl Krasniqit, mësuesit dhe të burgosurit politik që i kishte nxjerrë eshtrat e Azem Galicës nga shpella ku i kishin fshehur. Kurse Fehmiu, që kishte lindur më 1956 në Gllanaselë të Drenasit, si i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit, kishte patur për mësues patriotin Fazli Grajqevci”, ka shkruar ndër tjerash Kurti, të enjten.

Sot shënohet 24 vjetori që kur Lladrovci ra në luftën çlirimtare të Kosovës.

(Kosova Sot Online)