MPJ holandeze tregon se a do të përkrahin heqjen e vizave për Kosovën

  • E.K /
  • 22 September 2022 - 11:54
MPJ holandeze tregon se a do të përkrahin heqjen e vizave për Kosovën

Një nga shtetet hezituese që kosovarëve t’u hiqen vizat për shumë kohë ka qenë Mbretëria e Holandës. Klimës brenda BE’së, që ka ndryshuar dhe besohet se 27 vendet anëtare mund të dalin me lajm pozitiv për Kosovën, iu ka përshtatur edhe Holanda. Në një përgjigje Ministria e Jashtme e këtij shteti thotë se është në pritje të raportit zyrtar të Komisionit Europian që do të jetë me të dhëna të reja mbi progresin e Kosovës. “Holanda është e hapur për të bërë vlerësimin se a janë përmbushur të gjitha standardet. Progresi në regjistrin për luftimin e krimit të organizuar është kyç për ne”, thonë ata.

Ankesa e kosovarëve për diskriminim nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian është bërë e përvitshme sa herë që Komisioni Europian konstaton se Kosova i ka përmbushur kriteret për t’i dhënë fund izolimit, por i cili nuk çon në marrjen e vendimit për heqje të vizave. Dy shtetet që më së shumti prodhuan zhgënjim mes kosovarëve ishin Franca e Holanda që me vite nuk lëvizën nga qëndrimi i tyre skeptik. Megjithatë, në rrethanat e reja politike të krijuara në Europë, Franca bëri një përpjekje. Bashkë me Gjermaninë dhe Poloninë dolën me deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje për progres në çështjen e liberalizimit të vizave.

Pavarësisht se shumë herë u tha që kushtet për të ndodhur procesi i liberalizimit të vizave janë plotësuar nga Kosova, Holanda gjeti arsyetime mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend që të kundërshtojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Por ndryshimi i qëndrimit brenda BE’së e ka afektuar edhe Holandën.  Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës, në një përgjigje për gazetën Express dha një zotim se nëse raporti i ri me përditësime nga Komisioni Europian do të jetë në favor të Kosovës, atëherë ka gatishmëri për të marrë një qëndrim.

“Komisioni Europian së shpejti do të vijë me një raport të përditësuar mbi standardet për liberalizimin e vizave. Holanda është e hapur për të vlerësuar nëse të gjitha standardet janë përmbushur. Progresi i bërë deri më tani në regjistrin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kyç për ne” thotë kjo ministri.

Tutje, pasi të dëgjojnë KE’në, holandezët thonë se Qeveria holandeze do të marrë qëndrimit dhe do ta kalojë çështjen në Parlament.

“ Vetëm pas vlerësimit të progresit të bërë dhe pas një diskutimi me Parlamentin do të kemi qëndrim për këtë çështje”.

Për raportin e ri që do ta publikojë Komisioni Europian dje ka folur Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Europian, e cila krahas thirrjes për liberalizim të vizave, siguroi se vlerësimi i këtij institucioni është se Kosova ka përmbushur kriteret.

“Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, tha ajo.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Holandës thotë se liria e lëvizjes së qytetarëve kosovarë nuk është një çështje vetëm mes Kosovës dhe shtetit holandez.

“I takon Këshillit të Bashkimit Europian që të diskutojë dhe të pajtohet për liberalizimin e vizave, kështu që nuk është çështje bilaterale mes Kosovës dhe njërit prej shteteve anëtare të BE-së”.

Në përgjigje, MPJ thotë se Holanda mbështet Qeverinë e Kosovës në “agjendën e saj ambicioze” të reformës së sundimit të ligjit, veçanërisht ata përmendin adresimin e çështjeve si krimi i organizuar dhe korrupsioni i nivelit të lartë.

“Progresi në këtë agjendë reformuese dhe konkretisht në fushat e përmendura, do të jetë para së gjithash i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe sigurisht që mbështet ambicien kosovare për udhëtim pa viza”.

Holanda përfundoi se ishte, është dhe do të ndihmojë Qeverinë e Kosovës, por edhe institucionet gjyqësore dhe organizatat e shoqërisë civile përmes projekteve, këshillave dhe ekspertizës në arritjen e rezultateve në reformat e nevojshme për sundimin e ligjit.

Samiti i BE-së, i cili u zhvillua këtë vit më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ngriti në masë pritjet e qytetarëve të Kosovës se më në fund mund të vijë një lajm i mirë nga BE-ja – megjithatë s’pati asgjë konkrete. Përkundër deklarimeve publike të shumë shteteve anëtare se janë përkrahëse të lirisë së lëvizjes për vendin e vetëm në Ballkan të izoluar, çështja gjithmonë ka mbetur e bllokuar në Këshillin e BE-së.

(Kosova Sot Online)