Kokaj për grevën: Nuk më zë gjumi kur e mendoj që fëmijëve po iu dëmtohen aftësitë kognitive

  • E.K /
  • 22 September 2022 - 12:56
Kokaj për grevën: Nuk më zë gjumi kur e mendoj që fëmijëve po iu dëmtohen aftësitë kognitive

Deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Kokaj, ka thënë se situata me grevën e arsimtarëve është trishtuese dhe se greva duhet të ndërpritet sot.

Ai para deputetëve ka treguar edhe humbjet që do të kenë fëmijët edhe nga aspekti shkencor dhe për këtë iu kërkoi “dy minuta durim”.

“Jam shumë i brengosur. Fëmijët tonë prej moshës deri në pesë vjeçare, sidomos prej 5-20 vjeç, tri javë janë të ndarë nga bankat shkollore. Çka do të thotë kjo? Ato mijëra orë të humbura gjenerojnë një kuantitetet, një cilësi, gjenerojnë aq vlerë të madhe sa që unë jam i trishtuar dhe me ju thënë të drejtën nuk më merr gjumi natën kur e mendoj, kur e di konsekuencën në ardhmërinë e fëmijëve tonë, në ardhmërinë e brezave tonë dhe në përgjithësi të kombit”.

“Kjo është e bazuar në neuroshkencë për të cilën po flas. Nëse e thua me argumente të caktuara – dëmtohen aftësitë kognitive dhe emocionale të fëmijëve”.

Kokaj tha se është mirë që ta ndërpritet greva e mësimdhënëseve sot pasdite, duke treguar se iu ka bërë lutje grevistëve që ta ndalin.

“Me të gjitha mundësitë e mia i kam lutur udhëheqësit grevistë ta ndërpresin. Po flas si mësues që kam dhënë mësim në shkollë fillore, si babë, si prind, si pjesëtar i kësaj pjese të botës  – t’i ndërpresim në mënyrë sa më urgjente”.

Deputeti Kokaj tha se duhet të merren masa për të përmirësuar gjendjen e arsimit në Kosovë.

“Në prosperitetin tonë intelektual jemi të fundit, duhet të marrim masa të caktuara pedagogjike. Është situatë trishtuese. T’i kthejmë fëmijët në bankat e shkollës. Duke mos shpreh kurrfarë filozofie, politike apo njëanësie që të kthehemi në mënyrë urgjente dhe t’i gjejmë modalitetet e daljes nga kjo situatë”.

(Kosova Sot Online)