Dreshaj: Pensionet kontributdhënëse do t’i gëzojnë të gjithë

  • E.K /
  • 23 September 2022 - 12:21
Dreshaj: Pensionet kontributdhënëse do t’i gëzojnë të gjithë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në seancën e sotme ka paraqitur para deputetëve arsyetimin e nismës së AAK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

“Jemi sot këtu për ta korrigjuar një padrejtësi, për të debatuar në lidhje për një nismë legjislative që Aleanca ka kohë që ka inicuar. Bëhet fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, më saktësisht, largimin e nenit diskriminues i cili parasheh që çdo pensionist të ketë përvojë pune të paktën 15 vite, në mënyrë që ta gëzojë pensionin kontributdhënës”, deklaroi Dreshaj.

Tutje, Dreshaj theksoi se me propozimin që AAK ka inicuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë gjithë pensionistët, pavarësisht se sa vite kanë punuar.

“Siç e dini, kemi raste kur shumë pensionistë vetëm për një ditë nuk e arrijnë kushtin prej 15 viteve përvojë pune. Kërkesa e jonë është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët që ishin larguar dhunshëm gjatë pushtetit të atëhershëm”, shtoi Dreshaj.

“Ju ftoj pozitë e opozitë që bashkërisht ta ndryshojmë këtë ligj diskriminues”, përfundoi Dreshaj.

(Kosova Sot Online)