Osmani kërkon përkrahjen e Ligës Arabe në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën

  • A.P /
  • 23 September 2022 - 17:21
Osmani kërkon përkrahjen e Ligës Arabe në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdim të vizitës në New York, është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e kësaj organizate ndaj Kosovës.

Sipas komunikatës, në takim me Gheit, presidentja Osmani ka kërkuar rritjen e bashkëpunimit me Ligën Arabe, në funksion të thellimit të raporteve me shtetet anëtare të Ligës, sigurimin e njohjeve të reja, por edhe mbështetjes së Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Sipas presidentes Osmani, Kosova tashmë ka shënuar përparim të konsiderueshëm me fokus të posaçëm në sundimin e ligjit, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Ajo ka potencuar se forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës kontribuon për paqen afatgjatë e të qëndrueshme, në rajon e më gjerë.

(Kosova Sot Online)