Haxhiu: Qytetarët do t’i ndëshkojnë ata që e dërgojnë vendin në zgjedhje
Qytetarët do t’i ndëshkojnë ata që e dërgojnë vendin në zgjedhje. Kështu tha dje ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se partitë opozitare duhet të reflektojnë. Në PDK, qasjen e partisë në pushtet e kanë cilësuar nënshtruese, e sipas AAK-së, takimet e zhvilluara mes kryetarëve të tri partive më të mëdha nuk e kishin qëllim zgjidhjen e ngërçit
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se qytetarët do t’i ndëshkojnë ata të cilët janë duke e çuar vendin në zgjedhje.
Ajo ka deklaruar të enjten se partitë opozitare duhet të reflektojnë për zgjedhjen e presidentit, për çka ka kohë deri të martën e ardhshme.
“Është e rëndësishme që palët të reflektojnë, të kihet parasysh mesazhi që kanë dhënë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe kushdo që mendon që nëse shkojmë në zgjedhje mund të ndryshojë diçka nga ky rezultat, mendoj që e ka gabim për faktin që qytetarët e kanë dëshmuar që dinë të vlerësojnë situatat me të cilat përballemi dhe jemi përballur gjatë kësaj kohe dhe dinë të ndëshkojnë”, ka thënë Haxhiu. “Ende jemi në pritje të një konsensusi sa i përket çështjes së presidentit të ardhshëm. Mendoj që është gabim që një javë para përmbylljes së afatit për president të dilet me përfundimin se kjo çështje është e mbyllur, sepse është dashur që e gjithë kjo javë të shfrytëzohet në drejtim të arritjes së konsensusit. Vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Situata aktuale po ngjason me atë të vitit të kaluar, kur nuk kishte vullnet për të dalë nga bllokada e krijuar”.
(Kosova Sot Online)
