Kryeministri dhe presidentja ftohen ta vizitojnë veriun e Mitrovicës

  • S.A /
  • 24 September 2022 - 08:01
Kryeministri dhe presidentja ftohen ta vizitojnë veriun e Mitrovicës

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se në terren në këtë komunë ka siguri dhe normaliteti nuk është larg, por, sipas tij, është politika që me retorikën e saj po shkakton kokëçarje te banorët.

Sadiku është shprehur optimist se marrëveshja finale Kosovë-Serbi është afër. Sipas tij, tashmë në këtë drejtim “po luhen minutat e fundit”.

“Ne jemi lodhur me problemet, telashet e mëdha, të cilat kanë interferuar në jetën e përditshme dhe të gjitha komunitetet tashmë po presin që të arrihet një normalitet… Jemi në pritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse që është afër”, ka thënë ai.

Sipas tij, jo veç shqiptarët, por edhe komuniteti serb është lodhur nga telashet në veri.

Duke folur për sigurinë, Sadiku ka thënë se uniformat e Policisë së Kosovës dhe shtimi i trupave të KFOR-it, kanë shtuar një relaks te qytetarët.

Ai ka thënë se tashmë serbët dalin lirshëm në pjesën jugore e se shqipja flitet lirshëm në pjesën veriore. Sipas tij, për kohë të gjatë ka qenë e pamundur të shihen vetura me tabela RKS në veri, por tash “po jepen shenja pozitive”.

“Jemi lodhur dhe duhet t’u kthehemi gjërave normale. Në terren më s’ka telashe e ka lëvizje të lirshme. Tash ka distancë kohore prej 23 vjetësh dhe me këto kalkulime që po bëhen po duket dritë e madhe. Në proces ka ndodhur që as që është vërejtur tuneli apo drita në tunel, por tash jemi duke e kaluar tunelin dhe po e shohim normalizimin”, ka thënë Sadiku në Interaktiv.

Ai ka thënë se qytetarët në veri kanë nevoja esenciale për ndërhyrje të shtetit në infrastrukturë, shëndetësi e arsim.

“Siguria është në nivel, por politika jo. Ajo po e bën atë të veten. Shpresoj të mbesin në fjalët që në terren të mos kenë efekte e të merremi me çështje të mëdha për ne, por banale për të tjerët”, ka thënë Sadiku. “Lista Serbe është pjesë e Qeverisë. Goran Rakiq është ministër. Pra politika po e bën të veten. Ne u përgjigjemi ligjeve të Kosovës… Politika po e bën të veten, përmes retorikave”.

Sadiku ka ftuar liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti që të vizitojnë Mitrovicën e Veriut.

(Kosova Sot Online )