Alarmohet rreth “Ballkanit të Hapur” pasi Serbia nënshkruan marrëveshje me Rusinë

  • S.A /
  • 24 September 2022 - 08:25
Alarmohet rreth “Ballkanit të Hapur” pasi Serbia nënshkruan marrëveshje me Rusinë

Përgjatë takimeve që po mbahen në Kombet e Bashkuara në New York, kreu i diplomacisë serbe, Nikola Selakovic dhe ai i Rusisë Sergei Lavrorv, kanë nënshkruar një marrëveshje sa i përket politikës së jashtme të përbashkët Moskë-Beograd.Lidhur me këtë ka reaguar gazetari nga Bosnje e Hercegovina, Jasmin Mujanovic, i cili përcjell në vazhdimësi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Mujanovic ka thënë se nuk është çudi që Serbia vazhdon të koordinojë politikat e saj me regjimin kriminal të Vladimir Putinit, derisa shton se ajo që është për t’u çuditur është se si qeveritë kryesore perëndimore kërkojnë që Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

“Kjo është arsyeja pse është e pamundur”, ka shkruar Mujanovic.

Ai tutje ka thënë se nënshkrimi i një marrëveshje të tillë në mes të Serbisë dhe Rusisë do të duhej të ishte një alarm për Tiranën dhe Shkupin si dy shtete anëtare të NATO-s. “Pse do të ndiqnit integrimin ekonomik me një vend që po përafron politikën e tij të jashtme me një shtet të pabesë ndërkombëtar? Nuk ka kuptim”, ka shkruar Mujanovic

(Kosova Sot Online )